Zjarr në fshatin Malinat në Berat, digjen rreth 3 ha plantacione me ullinj, dyshohet të jetë i qëllimshëm
Plantacionet me ullinj në fshatin Malinat në Berat janë përfshirë nga flakët. Flakët janë shfaqur fillimisht në një prej parcelave të zonës kodrinore të fshatit, por të favorizuara nga era ato janë përhapur në të gjitha plantacionet me ullinj.
Flakët e zjarrit përparuan me shpejtësi drejt pemëve por falë ndërhyrjes në kohë të forcave zjarrfikëse, janë lokalizuar shpejt, ndërkohë që në zonë raportohet se ka ende shumë vatra të reja. Kjo për shkak të terrenit të vështirë kodrinor e të thepisur, që e bën të pamundur futjen e mjeteve zjarrfikëse në territorin e zjarrit, fikja e të cilit po kryhet me mjete rrethanore.
Si pasojë e zjarrit raportohet se është djegur një sipërfaqe rreth 3 ha me ullinj në fshatin Malinat. Burime në vendngjarje bëjnë me dije se zjarri mund të jetë vendosur nga vetë banorët për të djegur mbeturinat, por era e ka nxjerrë jashtë kontrollit situatën. Të njëjtat burime pohojnë se po punohet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj zjarrvënieje, një tjetër nga të shumta zjarre të qëllimshme e të mbetura pa autor në muajt e fundit.
Rruga Press