Zhvlerësmi i luftës së UÇK-së ishte i planifikuar
Shkruan Agim Morina
Menjëherë pas Luftës së Kosovës (1999) propaganda udbashe në Kosovë nisi me zhvlerësimin e luftës së UÇK-së me çdo mjet e çdo mënyrë. Baltosi luftëtarët, përdhosi figurat më të shquara të luftës kundër Serbisë. Një veprim i pamenduar i ndonjë “komandanti” përgjithësohej për të gjithë luftëtarët e UÇK-së: “UÇK po zapton dyqane”, “Krahu i UÇK-së po vret kundështarë politikë”, “Komandantët e UÇK-së po punësojnë vetëm njerëz të vet” etj.
Sot e dimë se kjo propagandë po e përgatiste terrenin për aktin final – Gjykatën e Speciale. Serbia, në ndërkohë, bënte punë e saj duke mbledhë “dëshmi” e duke ble “dëshmitarë”.
Natyrisht, shumë prej bartësve të kësaj gjuhe baltosëse në Kosovë mendonin se në Kosovën e lirë lejohej gjithçka, pra, edhe zhvlerësimi i luftës së UÇK-së. Tash, besoj, shumica e popullit e ka kuptu se krejt kjo ka qenë paralojë, për me e bë këtë popull jo vetëm mos me reagu, por edhe me thënë “Mirë ua bënë komandatëve!” Pak theksohej fakti që shumica absolute e ushtarëve të UÇK-së jetojnë në varfëri dhe me qinda prej tyre kanë bë vetëvrasje, qoftë për shkak të zhgënjimit, qoftë për shkak të traumave të luftës.
Nën dhé Serbia punonte e punon edhe sot për realizimin e “të drejtave të serbëve”, duke kriju jo vetëm “kisha ekstraterritoriale”, por më shumë për me kriju “një pakicë ekstraterritoriale serbe” nëpërmjet “Zajednicës” apo “Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
PROPAGANDA KUNDËR SHQIPËRISË ISHTE DHE ËSHTË E DIRIGJUAR
Masandej kjo propagandë vazhdoi me kriju një pamje së pari të shëmtuar e pastaj të urrejtur kundër Shqipërisë. Një pagesë e një çadre në bregdet e kush e din cilit tregtar, një këngë serbe në ndonjë tavernë të humbur të ndonjë katundi në Shqipëri, një deklaratë antikosovare e ndonjë anonimusi kthehej e bëhej si të ishte deklaratë zyrtare lufte e shtetit të Shqipërisë kundër Kosovës apo anasjelltas.
BASHKIMI KOMBËTAR SHQIPTAR ËSHTË DHE MBETET ZGJIDHJA MË E MIRË DHE PËRFUNDIMTARE E ÇËSHTJES SHQIPTARE
Si mbështetje për këtë qëndrim, fryhej e po fryhet ideja e “kosovarizmës”, si komb! Një çoroditje sa naive, aq edhe antishqiptare. Dikush e bënte dhe e bën këtë nga budallakia për me u kallxu i mençëm, por dikush që ishte dhe mbetet kryesori i kësaj propagande fshihej prapa perdesh të “ndërkombëtarëve”, të “vlerave europiane”, ndërsa selinë e ka doemos në Beograd. Jo se Beogradit i pëlqen fakti që Kosova u shkëput prej saj, por mes dy zgjedhjesh “kombit kosovar” dhe “kombit të bashkuar shqiptar”, Serbisë i shkon më shumë për shtati të përkrahë “kombin kosovar”, sepse kështu shqiptarët janë më të dobët. Dhe kjo, pa dyshim, i shkon për shtati çdo faktori antishqiptar.
Nëse gjermanët, një komb kaq i madh e i fuqishëm, menduan se bashkimi i kombit të tyre u siguron një të ardhme më të mirë, si mund të kenë shqiptarët komoditetin e të vënë në pyetje një shembull kaq të qartë e kaq të pakundërshtueshëm.
“FALJA E KRIMEVE SERBE” DHE POSHTËRIMI I VIKTIMAVE TË LUFTËS JANË PJESË E LUFTËS HIBRIDE
Faza tjetër e kësaj lufte propagandistike ishte “falja e krimeve” të Serbisë që duhej me u bë, sepse “kishin kalu tashma 20 vjet”! Këtë qëndrim e shfaqi jo vetëm ndonjë gazetar mendjefyçkë, – që u plak e nuk mësoi dot me shkru shqipen për së mbari, – por edhe ndonjë politikan i faqes së zezë i Kosovës. Faza e fundit kësaj propagande është që viktimat të paraqiten si “ankesa të tepruara viktimizuese”, si “shfrytëzim i tragjedive për qëllime politike” etj.
Nuk është se bartësit e çdo faze të kësaj propagande kanë qenë të njëjtit njerëz e të njëjtat media, por qendra (apo qendrat) që ka menaxhu dhe menaxhon edhe sot është dhe mbetet qendër antishqiptare. Kjo qendër nxit e shtyn përpara debate krejt të kota dhe inatçore, masandej përshtatet me rrjedhën e këtij narracioni për me e paraqitë si dukuri spontane, piketon dhe përzien mendjefyçkat me agjentët, fut në lojën mediatike ish-udbashë apo bij spiunësh që i fryjnë edhe ma shumë zjarrit dhe opinioni publik i Kosovës, në vend që të përqendrohet në çështjet thelbësore të interesave kombëtare, merret ose me debate të kota, ose, edhe më keq se kaq, me debate dëmsjellëse, në mos edhe shkatërruese për të ardhmen e shqiptarëve.
Rruga Press

