Zhvillimet e fundit Rusi-Ukrainë, pritet nënshkrimi i marrëveshjes për grurin
Ukraina dhe Rusia pritet të nënshkruajnë një marrëveshje të OKB-së të premten për të zhbllokuar eksportet e grurit të Ukrainës, sipas Presidencës së Turqisë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres është nisur për në Stamboll.
“Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së dërgesës së grurit, në të cilën do të jenë të pranishëm presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, do të mbahet [të premten] me pjesëmarrjen e Ukrainës dhe Rusisë,” thanë zyrtarët turq.
Mbi 20 milionë tonë drithë ukrainas janë bllokuar nga forcat ruse, si dhe nga minat tokësore që Ukraina i ka vendosur për ta shmangur një sulm të frikshëm.
Ky bllokim ka shkaktuar një krizë globale, duke i rritur çmimet e ushqimeve dhe duke shtyrë miliona njerëz në vendet me të ardhura të ulëta drejt urisë.
Raundi i parë i bisedimeve javën e kaluar nuk pati ndonjë përparim, megjithëse Guterres tha se shpresonte që palët ndërluftuese të arrinin një marrëveshje përfundimtare këtë javë.
Kreu i CIA-s vlerëson se rreth 15,000 trupa ruse janë vrarë tashmë në luftën e Moskës kundër Ukrainës.
Ky vlerësim u dha nga drejtori i agjencisë së inteligjencës amerikane, ëilliam Burns, gjatë një konference sigurie në Aspen, Kolorado. Burns shtoi se rreth 45,000 të tjerë mendohet të jenë plagosur.
“Ukrainasit kanë vuajtur gjithashtu, ndoshta pak më pak se kaq,” tha Burns.
Rusia nuk ka bërë të ditur ndonjë shifër aktuale për viktimat. Pala ukrainase gjithashtu nuk ka dhënë shifra zyrtare se sa prej trupave të saj janë vrarë. Megjithatë, gjatë kulmit të ofensivës ruse në Donbas në qershor, zyrtarët ukrainas thanë se forcat e tyre po humbnin deri në 200 trupa çdo ditë.
Burns tha gjithashtu se grumbullimi i forcave ruse në rajonin e Donbasit sugjeron se, të paktën për momentin, ushtria ruse ka mësuar nga dështimet në fillim të luftës, e cila tani ka vazhduar për gati pesë muaj.
Hungaria po kërkon të sigurojë më shumë furnizime me gaz nga Rusia, tha në një deklaratë partia qeverisëse e këtij vendi, Fidesz.
Ministri i Jashtëm Peter Szijjarto udhëtoi në Moskë të enjten për ta diskutuar blerjen e më shumë gazit.
“Për ta garantuar sigurinë e furnizimit me energji të Hungarisë, qeveria ka vendosur të blejë edhe 700 milionë metër kub gaz natyror, përveç sasive të parashikuara në kontratat afatgjata”, tha Fidesz në një deklaratë të postuar në Facebook.
Sipas të dhënave nga operatori hungarez i gazit natyror FGSZ, sasia e kërkuar përfaqëson rreth 6.7% të konsumit të gazit të vendit për vitin 2020.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Moska do ta shqyrtojë kërkesën.
Hungaria i ka kundërshtuar planet e BE-së për ta reduktuar varësinë nga furnizimet ruse me energji.
Transmetuesi rajonal Südëestrundfunk (SëR), raportoi se autoriteti policor i BE-së, Europol e ka njoftuar Këshillin e Bashkimit Evropian se është në dijeni të rasteve të shumta që përfshinin eksporte të paligjshme të armëve të zjarrit.
Në një letër që thuhet se është parë nga SëR, Europol përmendi gjithashtu se sindikatat kriminale po kontrabandojnë armë dhe se depo armësh mund të jenë vendosur përgjatë zonës kufitare të Ukrainës me BE-në.
Europol raportohet gjithashtu të ketë thënë se disa refugjatë nga Ukraina mund të kenë sjellë armë zjarri me vete në BE.
Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck i bëri të ditura planet për ta garantuar sigurinë energjetike të vendit përballë furnizimeve të reduktuara të gazit nga Rusia.
Sipas masave, do të ketë kërkesa më të rrepta për plotësimin e ambienteve të depozitimit të gazit.
Që nga nëntori, objektet do të duhej të furnizoheshin me 95% në vend të 90% dhe në tetor 85% në vend të 80%.
Impiantet rezervë të linjitit gjithashtu do të riaktivizohen në tetor për të ndihmuar në kursimin e gazit.
Gjithashtu do të vendosen masa për kursimin e energjisë në ndërtesat publike.
Përdorimi i zyrës në shtëpi duhet gjithashtu të zgjerohet në konsensus me punëdhënësit dhe punonjësit.
“Situata mbetet e tensionuar, kështu që ne po i shtojmë edhe një herë përpjekjet tona. Konsumi i gazit duhet të vazhdojë të reduktohet, hapësirat e magazinimit duhet të mbushen,” tha Habeck. “Ne kemi nevojë për energji të qëndrueshme.”
Kryetari i qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, tha se bombardimet ruse goditën një zonë me popullsi të dendur, duke vrarë dy dhe duke plagosur 19. Duke shkruar në shërbimin e mediave sociale Telegram, kryebashkiaku Igor Terekhov i këshilloi qytetarët të mos largoheshin nga strehimoret dhe tha se “katër persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore”.
Në konferencën e saj ditore, inteligjenca ushtarake e Mbretërisë së Bashkuar tha se forcat ruse ka të ngjarë të mbyllen në termocentralin e dytë më të madh të Ukrainës, që ndodhet në qytetin Vuhlehirska.
Ky vendim është pjesë e një plani për ta marrë nën kontroll infrastrukturën kritike dhe qytetet kyçe të Donetskut, Kramatorskut dhe Slovianskit, vlerësoi inteligjenca ushtarake britanike.
Tubacioni i gazit Nord Stream 1 u rihap siç ishte planifikuar herët në mëngjes të së enjtes, pasi u mbyll për punë të mirëmbajtjes vjetore për 10 ditë, sipas operatorit të tubacionit.
Presidenti i Agjencisë Federale të Rrjetit të Gjermanisë, Klaus Müller, tha në Twitter se tubacioni funksiononte me rreth 30% të kapacitetit dhe se kjo sasi ishte e garantuar për dy orë. Müller tha, megjithatë, se ishte e pazakontë që norma e dërgesës të ndryshonte brenda një dite.
Gjermania e ka akuzuar Kremlinin për përdorimin e energjisë si “një mjet arme”.
Gjatë një interviste në Radio BBC, sekretarja e jashtme britanike dhe kandidatja për kryeministër Liz Truss tha të enjten se ajo nuk e mbështet përfshirjen e drejtpërdrejtë të trupave britanike në Ukrainë.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta përkrahur Ukrainën. Kemi udhëhequr koalicionin ndërkombëtar për dërgimin e armëve, poi vendosim sanksionet, por unë nuk e mbështes përfshirjen e drejtpërdrejtë të trupave të Mbretërisë së Bashkuar,” tha ajo.
Në të njëjtën kohë, Mbretëria e Bashkuar vazhdon të dërgojë më shumë armë në Kiev. Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar njoftoi të enjten se Londra do të dërgojë më shumë se 1600 armë antitank në Ukrainë, ndërkohë që pushtimi rus vazhdon atje.
Banka qendrore e Ukrainës e ka zhvlerësuar monedhën hryvnia të vendit në mënyrë që ta nxisë ekonominë dhe t’i bëjë eksportet ukrainase më konkurruese.
“Norma e re e hryvnias do të bëhet një spirancë për ekonominë dhe do të shtojë qëndrueshmërinë e saj në kushtet e pasigurisë,” tha Banka Kombëtare e Ukrainës në një deklaratë.
Banka tha se ndërmori veprime “duke pasur parasysh ndryshimin në karakteristikat themelore të ekonomisë së Ukrainës gjatë luftës dhe forcimin e dollarit amerikan dhe monedhave të tjera”.
Pasi të kenë përfunduar luftimet, banka qendrore do t’i tërheqë masat e saj emergjente për ta mbështetur ekonominë, sipas shefit të Bankës Kombëtare Kyrylo Shevchenko.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se bisedimet midis Rusisë, Ukrainës dhe OKB-së për rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas përmes Detit të Zi po shkojnë mirë deri më tani.
Ai u tha mediave turke se shpreson të jetë në gjendje të jipte”lajme të mira” mbi bisedimet në ditët në vijim, por shtoi se ka ende çështje të vogla që po diskutohen midis palëve. Ankaraja është nikoqir ibisedimeve midis Moskës, Kievit dhe OKB-së, për një plan të udhëhequr nga OKB për një korridor të grurit.
Gjigandi inxhinierik zvicerano-suedez ABB i njoftoi planet për ta braktisur biznesin në Rusi, për shkak të luftës dhe sanksioneve kundër Moskës.
Rusia përbën vetëm deri në 2% të xhiros së përgjithshme vjetore të ABB dhe vendimi për t’u tërhequr do të ketë një ndikim financiar të vlerësuar në tremujorin e dytë prej rreth 57 milionë dollarë, përllogariti grupi zvicrano-suedez./DW
Rruga Press