“Zgjoi”/ Regjisorja Basholli: Gratë nga Kosova gjithmonë janë treguar të forta
Filmi “Zgjoi” i regjisores nga Kosova, Blerta Basholli ka shënuar suksesin e parë në arenën ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e festivalit prestigjioz “Sundance Film Festival 2021”.
Filmi është i bazuar në ngjarje të vërtetë, dhe tregon për një grua kosovare (Fahrije Hoti) e cila ashtu si të gjithë bashkëkombësit e saj kanë vuajtur shumë pasojat e luftës me Serbinë, por ka gjetur forcën për të parë përpara dhe për t’u bërë e suksesshme.
Gjatë një interviste me “Euronews Albania”, regjisorja Basholli thotë se ndihet e lumtur për këtë arritje, pasi siç thotë ajo ky është filmi i parë i gjatë i saj
“Për mua është më rëndësi shumë të madhe, sepse është për mua filmi i parë i gjatë dhe normalisht e kemi pasur plan dhe dëshirë, që të jetë festivali “Sundance Film Festival 2021”. Jemi shumë të lumtur dhe tani të shohim si po shkon i gjithë rrugëtimi”, tha ajo.
Ajo thotë se ngjarjet në fillim i përkasin periudhës mes 2005-2006, ku gruaja e suksesshme, pasi ka humbur burrin në luftë përballet me sfidat për rritjen e fëmijëve.
“Në fakt subjekti është pasojat e luftës, por ngjarja është e vendosur pas luftës, diku nga viti 2005-2006. Mesazhi mendoj është mjaft i fuqishëm në këtë rast, sepse kemi të bëjmë me një grua të suksesshme, e cila duke pasur burrin në mesin e të pagjeturve nga luta e fundit në Kosovë, ajo duhet të punojë dhe të mbijetojë për të mbështetur fëmijët, e saj. Në këtë rrugëtim ajo ka sfidat e saj dhe kundërshtime, që i vijnë nga shoqëria ku jeton. Mesazhi ka të bëjë me fuqizimin e një gruaje, e cila jeton në një ambient, që nuk është edhe aq miqësor ndaj saj”, shtoi ai.
Regjisorja Bashsholli thotë se dëshiron që “rrëfimi i kësaj gruaje të dëgjohet, sepse gratë nga Kosova gjithmonë janë treguar të forta e të suksesshme si në luftëra, ashtu edhe pas tyre, por për fat të keq shumë pak përmenden e mbështeten”, theksin ajo.
Rruga Press