Opinion/Aktualitet

Zgjidhja e situatës në veri gjendet brenda sistemit politik-kushtetues të Kosovës

Nga Donik Sallova

Negociatorët në Bruksel duhet të kenë parasysh se “kriza politike” në katër komunat veriore të Kosovës është një krizë e brendshme e Kosovës e krijuar nga ndërhyrja e jashtme, pra nga ndërhyrja e Serbisë. Për këtë nuk ka se cfarë negociohet. Bashkimi Europian duhet t’i kërkojë në mënyrë ultimative Serbisë që të tërhiqet nga çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës, duke përfshirë ndalimin e ndikimit përmes presionit dhe shantazhit mbi përfaqësuesit politikë të serbëve kosovarë që të ndërmarrin veprime në përputhje me interesin e Serbisë, e që është sabotimi i shtetit të Kosovës. Kjo madje nuk është as kërkesë, por është obligim i Serbisë që derivon nga pikat 1 dhe 2 të Marrëveshjet së 27 shkurtit 2023 në Bruksel.

Negociatorët europianë duhet të kenë po ashtu parasysh se kriza në veri nuk është shkaktuar nga ndonjë veprim i qeverisë së Kosovës i cili bie ndesh me parimet kushtetuese, politike e demokratike të shtetit të Kosovës, apo edhe me ndonjë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Situata u eskalua qëllimshëm kur eksponentët e Serbisë në veri të Kosovës e panë se Qeveria Kurti ka vullnetin për të zbatuar një nga një të gjitha marrëveshjet me Serbinë, duke nisur me marrëveshjen e targave, e cila që nga janari 2017 nuk lejonte që në Kosovë të qarkullonin targa ilegale.

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Negociatorët nuk duhet të harrojnë që objektivi i tyre është arritja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që tashmë ka për bazë Marrëveshjen e Brukselit (2023), ku Kosova dhe Serbia janë pajtuar për ekzistencën respektive si subjekte sovrane. Çështja e krizës në veri nuk mund të jetë objekt negociatash, sepse ajo është një krizë e prodhuar nga bojkoti politik i përfaqësuesëve serbë dhe për kriza të tilla sistemi politiko-kushtetues i Kosovës parasheh zgjidhje. Zgjedhjet ishin zgjidhja automatike në situatën kur të zgjedhurit i braktisin postet publike. Në demokraci postet publike nuk trashëgohen, as nuk garantohen nëse refuzohet pjesëmarrja politike në zgjedhje. Të zgjedhurit aktual në katër komunat veriore janë zgjidhje më e mirë se sa vakanca e pushtetit. A garanton sistemi jonë politik revokimin e një të zgjedhuri që konsiderohet se nuk e ka ose nuk e përfaqëson më vullnetin e shumicës së trupit zgjedhor? Po, mblidhen nënshkrimet nga 20% e trupit zgjedhor dhe inicohet shkarkimi i tyre për të çuar në zgjedhje të reja, ku populli merr pjesë për t’u dhënë legjitimitet më të lartë të zgjedhurve të rinj. Dorëheqja është akt moral që përballë bojkotuesëve të zgjedhjeve do të konsiderohej akt i dorëzimit politik nga shantazhit i bojkotit. Ndërsa e kundërta duhet të ndodhë, bojkotuesit e zgjedhjeve kanë detyrimin moral të pjesëmarrjes në peticionin që i rikthen në lojën legale dhe demokratike të marrjes së pushtetit.

Serbët në veriun e Kosovës duhet ta pranojnë dhe të mësohen me natyrën demokratike të shtetit të Kosovës. Ata mbase janë privuar nga njohja e kësaj natyre si pasojë e propagandës së Serbisë, duke i përdorur qytetarët e atjeshëm si instrument sabotimi kundër shtetit të Kosovës. Por, negociatorët ndërkombëtarë nuk duhet ta legjitimojnë më tutje këtë praktikë, duke i pranuar imponimet e Beogradit si zgjidhje extra-politike për problemet e brendshme që po ia shkakton Kosovës përmes interferimit të vazhdueshëm. Kjo praktikë duhet të marrë fund.

Kosova është vend demokratik, shtet që ka ofruar barazinë për të gjithë qytetarët e vet pa dallim kombësie, etnie e religjioni. Barazia në nivel republike për të gjithë që shteti i Kosovës e ka garantuar me kushtetutë dhe me çdo ligj tjetër, është më shumë se ç’mund të pretendohet përmes Asociacionit të shumë kërkuar. Kushtetuta e Kosovës garanton edhe Asociacion, por ai Asociacion nuk mund të ofrojë më shumë se ç’ofron Kushtetuta derivat i ‘Pakos së Ahtisaarit’.

Një Asociacion i pretenduar të identifikohet etnikisht, që synon të enklavizohet politikisht, me aspiratën për të qenë një Serbi brenda Kosovës e cënon rëndë pavarësinë dhe sovranitetin, republikanizmin dhe multietnicitetin, funksionalitetin dhe stabilitetin e shtetit të Kosovës.

Rruga Press

YouTube player