Zgjedhjet e 25 Prillit/ Tiranës i shtohen dy mandate, Gjirokastra dhe Dibra nga një deputet më pak
Lëvizjet demografike kanë sjellë ndryshime në shpërndarjen e mandateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Ndryshimet prekin tre qarqe Dibrën, Gjirokastrën dhe Tiranën.
Pas 25 prillit Dibra dhe Gjirokastra do të përfaqësohen me një deputet më pak në parlament.
Konkretisht me 5 dhe 4 deputetë ndërsa mandatet e hequra nga këto qarqe i shtohen Tiranës që bëhet me 36 të tilla.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij.
Ndërkohë në zgjedhjet e 25 prillit do të ketë 92 zona të administrimit zgjedhor, 2 më shumë se në parlamentaret e 2017.
Në takimin online të KQZ, komisioneri shtetëror Ilirian Celibashi tregoi që Bashkia e Fierit dhe bashkia e Beratit do të kenë 2 ZAZ më shumë.
Ndërsa anëtari i rregullatori Maharrem Çaka ngriti shqetësimin e ndryshimit të adresave nga ana e gjendjes civile.sink
Anëtarja e rregullatorit, Helga Vukaj, e pamësuar me mbledhjen online publike, tregon në një bisedë me përfaqësuesin e PD në KQZ që ndodhet në shtëpi me covid.
Shpërndarja e mandateve sipas qarqeve:
Qarku Berat – 7 (shtatë) mandate
Qarku Dibër– 5 (pesë) mandate
Qarku Durrës – 14 (katërmbëdhjetë) mandate
Qarku Elbasan – 14 (katërmbëdhjetë) mandate
Qarku Fier – 16 (gjashtëmbëdhjetë) mandate
Qarku Gjirokastër – 4 (katër) mandate
Qarku Korçë – 11 (njëmbëdhjetë) mandate
Qarku Kukës – 3 (tre) mandate
Qarku Lezhë – 7 (shtatë) mandate
Qarku Shkodër – 11 (njëmbëdhjetë) mandate
Qarku Tiranë – 36 (tridhjetegjashtë) mandate
Qarku Vlorë – 12 (dymbëdhjetë) mandate
Sipas KQZ, “Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij“.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të KQZ.