Zëvendësministri Ahmeti, fillon vizitën zyrtare në rajonin e Oqeanisë, pritet nga homologu Watts
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, fillon vizitën zyrtare në rajonin e Oqeanisë, me ç ‘rast në Kanberra të Australisë u prit në takim nga homologu i tij z.Tim Watts.
Në takim u bisedua për zhvillimet e fundit në të dyja vendet, zhvillimet rajonale dhe botërore.
Zëvendësministri Ahmeti, e njoftoi z.Watts për progresin e Kosovës në vitet e fundit dhe zhvillimet e fundit në rajonin tonë, veçanërisht në aspektin e sigurisë. Po ashtu ai, theksoi se Kosova është e rreshtuar përkrahë shteteve demokratike dhe e përkushtuar për të ruajtur paqen dhe stabilitetin rajonal e botërorë.
Tutje, të dyja palët vlerësuan se Kosova dhe Australia ndajnë të njëjtat vlera të përbashkëta të respektimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Diskutimet vazhduan në takimin e radhës, ku të pranishëm ishin përfaqësues të departamentit për Evropën Lindore dhe Juglindore, departamentit shumëpalësh, departamentit të paqësorit dhe nga Minstria e Mbrojtjes.
Në kuadër të takimit u diskutua për bashkëpunimin dypalësh, në veçanti për bashkëpunimin në siguri dhe progresin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Po ashtu, u diskutua edhe për ndikimin dhe rolin e palëve të treta në rajonet përkatëse.
Në fund, zëvendësministri Ahmeti, falenderoi homologun e tij z. Watts, për mbështetjen e vazhdueshme të Australisë për Kosovën.
Rruga Press