Bota

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Vulin: Rusia është partnere dhe aleate jona

Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar të mërkurën me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vullin në margjina të një forumi ekonomik në Vlladivostok.

Në takim, i cili është transmetuar drejtpërdrejt në platformën YouTube, Vullin ka thënë se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.

Ai ka thënë se për shkak të qëndrimit të vet, Serbia është nën presion të jashtëzakonshëm.

“Mirëpo, Serbia, e udhëhequr prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është Serbi që nuk do të bëhet kurrë anëtare e paktit të NATO-s, që nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të lejojë kurrë që veprime anti-ruse të kryhen prej territorit të saj”, ka thënë Vullin.

Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë më parë për Zërin e Amerikës se qëndrimi amerikan ndaj Vullinit “dihet mirë” dhe që ai është nën sanksione amerikane.

Lexo më shumë  Ambasada amerikane në Ukrainë ka paralajmëruar për një sulm serioz ajror që mund të ndodhë në ditët në vijim

Paraprakisht, Bashkimi Evropian u ka thënë mediave në Serbi se “mbajtja e lidhjeve me Rusinë në kohën e agresionit kundër Ukrainës, nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit”.

“BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të paarsyetuar të Rusisë kundër Ukrainës”, ka thënë blloku evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 3 shtator.

Forumi në Vlladivostik të Rusisë do të mbahet prej 3 deri më 6 shtator.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se vizita e Vullinit në Rusi nuk përbën “asgjë aq të tmerrshme”.

“Ne nuk kemi shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Federatën Ruse, nuk është e ndaluar për askënd që të takohet përfaqësuesit e Federatës Ruse”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Lexo më shumë  Trump paralajmëroi sulm ndaj Meksikës, reagon presidentja e vendit

Vuçeviq ka thënë se Serbia nuk e inkurajon luftën në Ukrainë dhe nuk e mbështet shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

Ai ka rikujtuar që edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, si kryeministër i një vendi anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka qenë së fundmi në Moskë dhe është takuar me Putinin.

“Nëse Orbanit i lejohet, natyrisht që edhe Vullini mund ta takojë. Nuk shoh ku është ndryshimi apo qasja ndryshe”, ka thënë kryeministri i Serbisë.

Vullin ka qenë disa herë në Moskë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ai është i njohur për lidhjet e tij me Rusinë, ndërsa prej 11 korrikut të vitit të kaluar është futur në listën e zezë amerikane për “korrupsion dhe veprime destabilizuese” me qëllim të avancimit të agjendave dhe interesave të tij personale, duke i bërë dëm paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor./ REL

Rruga Press

YouTube player