Zëvendëskryeministri Bislimi në Greqi flet për rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe dialogun
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, në qëndrimin e tij në Athinë, ka folur mbi çështje si investimet e huaja në vend, sektorët prioritarë për investim, rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe procesin e dialogut.
Ai ishte i ftuar në Kolegjin e Nju York-ut në Athinë, ku ligjëroi dhe bashkëbisedoi me studentë. Prezent, ishin edhe ambasadorë e përfaqësues diplomatikë në Greqi, nga rajoni e më gjerë.
Gjatë fjalës së tij hyrëse, zëvendëskryeministri foli për situatën ekonomike në vend, hapat e politikat e ndërmarra nga qeveria, si dhe rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian.
“Ndër të tjera ai përmendi shkallën e rritjes së punësimit në tre vitet e fundit, iniciativat tona si platforma Superpuna, formalizimi i ekonomisë, indikatorët makro ekonomikë pozitivë, si dhe nënvizoi se e gjitha kjo rritje ka ardhur përtej barrierave me të cilat është përballur vendi”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Më tej, ai theksoi se është e rëndësishme të sigurohemi që kjo rritje ekonomike të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Përmendi arritjen e liberalizimit të vizave dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor 2022, pak pas marrjes së Raportit për Vendin, që në atë vit rezultoi të ishte më i miri ndonjëherë për Kosovën, dhe me progres të shënuar në zbatimin e reformave.
Pas fjalës së tij, ai u angazhua në diskutime me pjesëmarrësit dhe pyetjet e adresuara nga studentët e përfaqësuesit diplomatikë, mbi çështje si investimet e huaja në vend, sektorët prioritarë për investim, por edhe rruga drejt Bashkimit Evropian dhe procesi i dialogut.
“Zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit për pyetjet e kureshtjet e tyre përreth vendit tonë dhe interesin e shfaqur për ta njohur më shumë situatën në vend, sfidat me të cilat përballet Kosova dhe objektivat për të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Rruga Press