Zelensky nënshkruan dekretin për tërheqjen e paqeruajtësve ukrainas nga e gjithë bota, përfshirë edhe nga Kosova
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar një dekret për tërheqjen e paqeruajtësve ukrainas nga e gjithë bota, së bashku me armët dhe pajisjet e tyre, për të forcuar ushtrinë ukrainase në zmbrapsjen e agresionit rus.
Fotoja e dekretit përkatës është publikuar nga zëvendës shefi i zyrës së presidentit Andriy Sybiha në Facebook, transmeton Ukrinform, përcjell Telegrafi.
“Presidenti i Ukrainës V. Zelensky ka vendosur të tërheqë paqeruajtësit ukrainas, ushtarë shumë profesionistë, nga të gjitha misionet në mbarë botën, së bashku me pajisjet e tyre, për të forcuar ushtrinë tonë tani në përgjigje të agresionit rus”, ka shkruar Sybiha.
Ndryshe, sipas të dhënave të NATO-s, në Kosovë momentalisht shërbejnë rreth 40 ushtarë ukrainas.
Më 24 shkurt, presidenti rus Vladimir Putin i shpalli luftë Ukrainës dhe nisi një agresion në shkallë të gjerë.
Trupat ruse kanë vrarë civilë, kanë granatuar dhe shkatërruar infrastrukturën kryesore, dhe raketat e tyre kanë goditur familjet ukrainase.
Ndërkohë në Ukrainë u vendos ligji ushtarak dhe u shpall mobilizimi i përgjithshëm.
Rruga Press