Zelensky: Lufta është ndërkombëtarizuar dhe shkon përtej kufijve të Ukrainës dhe Rusisë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë të martën se mijëra ushtarë të Koresë së Veriut që pritet të hyjnë në vijën e frontit në Ukrainë, po e shtyjnë luftën pothuajse tri-vjeçare përtej kufijve të palëve ndërluftuese.
Udhëheqësit perëndimorë thonë se Koreja e Veriut ka dërguar rreth 10,000 ushtarë për të ndihmuar fushatën ushtarake të Rusisë dhe paralajmëruan se përfshirja e saj në një luftë evropiane gjithashtu mund të prishë marrëdhëniet në rajonin Indo-Paqësor, duke përfshirë Japoninë dhe Australinë, raporton AP.
Zelensky ka thënë se ka folur me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol dhe i ka thënë atij se 3,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë tashmë në bazat ushtarake afër vijës së frontit ukrainas dhe se ai pret që dislokimi të rritet në 12,000.
Koreja e Jugut, e cila ka qenë në kontakt të ngushtë me NATO-n, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për zhvillimet e fundit, paralajmëroi javën e kaluar se mund t’i dërgojë armë Ukrainës si hakmarrje për përfshirjen e Veriut.
“Ka vetëm një përfundim – kjo luftë është e ndërkombëtarizuar dhe shkon përtej kufijve të Ukrainës dhe Rusisë”, ka shkruar Zelensky në Telegram.
Praninë e forcave të Koresë së Veriut në Rusi dhe në kufirin e saj me Ukrainën, në zonën Kursk, e ka konfirmuar të hënën edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte.
Ai në një konferencë për media ka thënë se përfshirja e trupave koreano-veriore përkrah atyre të Rusisë në luftën në Ukrainë, tregon për dobësim të Moskës.
Rruga Press