Bota

Zelensky i kërkon Perëndimit raketa kundërajrorë, teksa Rusia i vazhdon sulmet e pareshtura ajrore

Qindra mijëra ukrainas kanë mbetur pa rrymë si pasojë e një vale të re sulmesh të mëdha ajrore që Rusia e kreu ndaj infrastrukturës së Ukrainës, duke e nxitur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, t’i lutet përsëri Perëndimit që t’ia japë Kievit sistemet kundërajrore për të cilët ka aq shumë nevojë.

Infrastruktura energjetike ishte caku kryesor i sulmeve raketore dhe me dronë nga Rusia në katër rajone ukrainase mëngjesin e së enjtes, tha ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko.

“Sistemet e transmisionit dhe objektet e gjeneratorëve në rajonet Harkiv, Zaporizhja, Lviv dhe Kiev u sulmuan. Punonjësit e energjisë po punojnë për t’i eliminuar pasojat”, tha Halushchenko në Facebook.

Harkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës që ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit rus, ishte përsëri caku kryesor i sulmeve ruse mëngjesin e së enjtes.

Zyrtarët lokalë raportuan për 10 sulme ajrore ruse në Harkiv.

Si pasojë e këtyre sulmeve, më shumë se 200.000 qytetarë mbetën pa rrymë në Harkiv, tha Oleksiy Kuleba, zëdhënësi i Presidencës ukrainase.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

“Deri tani, nuk ka viktima. Informatat janë duke u përditësuar. Ne jemi duke i rregulluar prishjet në rrjetin energjetik”, tha shefi i administratës ushtarake në Harkiv, Oleh Synyehubov.

Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se sulmet shkaktuan telashe në linjat e rrymës dhe në transport publik.

Sulmet ruse në Harkiv janë rritur dukshëm javët e fundit. Terekhov tha së fundmi se raketave S-300 u nevojiten vetëm 40 sekonda për të arritur në Harkiv nga rajoni rus Belgorod.

Ndërkohë, Zelensky tha se Rusia kreu sulme me shumë dronë dhe raketa, duke e dërrmuar sistemin kundërajror të Ukrainës.

“Disa nga raketat dhe [dronët] Shahed u rrëzuan. Fatkeqësisht, vetëm një pjesë e tyre”, tha Zelensky në Telegram.

Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve të Ukrainës të veprojnë më shpejt dhe t’ia japin Ukrainës mjetet për ta mbrojtur veten.

“Kemi nevojë për mbrojtje ajrore dhe mbrojtje të tjera, jo për shpërfillje dhe bisedime të gjata”, shkroi Zelensky.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

“Nëse Rusia lejohet të vazhdojë ta bëjë këtë, raketat ruse dhe ‘Shaheds’ nuk do ta sulmojnë vetëm Ukrainën, por edhe përkushtimin e partnerëve të saj. Kjo do të jetë licencë globale për terror”, tha ai.

Një paketë me ndihmë amerikane në vlerë prej 60 miliardë dollarë ka ngecur në Dhomën e Përfaqësuesve që disa muaj, i bllokuar nga një numër i republikanëve, të cilët besojnë se çështjet e brendshme kanë përparësi, edhe pse Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes po e shtyjnë Kongresin ta miratojë atë.

Të mërkurën, gjenerali i lartë amerikan në Evropë paralajmëroi se Ukraina nuk mund t’i bëjë ballë e vetme luftës kundër Rusisë.

Gjenerali Christopher Cavoli, komandant i Komandës Evropiane, tha: “Ukraina nuk mund t’i bëjë ballë e vetme kësaj lufte. Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë, duhet të vazhdojë t’i japin Ukrainës municion, armatim dhe materiale”, tha Cavoli.

Rruga Press

YouTube player