Zelensky: Fundi i luftës varet nga presioni që Putini do të marrë nga SHBA-të
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh se, fundi i luftës në Ukrainë varet nga presioni që Presidenti rus Vladimir Putin do të marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.
“Lufta do të përfundojë kur presidenti amerikan, së bashku me evropianët, ta vënë Putinin nën kontroll dhe ta detyrojnë atë të hyjë në negociata të vërteta që do të sjellin rezultate. Vladimir Putin duhet të bindet që të bjerë dakord për një armëpushim”,tha Zelensky në një intervistë që dha të hënën (23/2) për televizionin gjerman ARD, ndërsa lufta hyn në vitin e saj të pestë.
Mediat e huaja shkruajnë se, ai foli për disfatën e agresorit, duke vënë në dukje se Rusia po lufton për ta shkatërruar si shtet të pavarur, por Ukraina nuk e ka lejuar ta bëjë këtë. Ai argumentoi gjithashtu se Ukraina nuk po e humbet luftën, ky është një narrativë ruse, tha ai në mënyrë karakteristike.
Në të njëjtën kohë, ai deklaroi se ishte i hapur për negociata mbi pretendimet territoriale të Rusisë. Çështjet territoriale mund të vendosen përfundimisht vetëm midis krerëve të shteteve dhe qeverive, tha presidenti ukrainas.
Rruga Press

