Bota

Zelensky akuzon kryeministrin sllovak se ka zgjedhur Rusinë në vend të Perëndimit për furnizimet me gaz

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar kryeministrin e Sllovakisë se ka zgjedhur Rusinë në vend të Perëndimit në lidhje me furnizimet me gaz, ndërsa tensionet vazhdojnë pas vendimit të Kievit për të ndaluar tranzitin e gazit rus përmes territorit të tij në fillim të këtij viti.

“Ai (kryeministri sllovak Robert Fico ) zgjedh Moskën në vend të Amerikës dhe partnerëve të tjerë që mund të furnizojnë vendin e tij me gaz me kushte tregtare. Ky është gabimi i tij. Të gjithë në Evropë duhet të mendojnë afatgjatë dhe të nxisin marrëdhënie që forcojnë kombet tona,” tha Zelensky në X.

Presidenti ukrainas kujtoi një vendim të homologut amerikan Donald Trump që mund të rrisë ndjeshëm eksportin e LNG-së amerikane, duke shprehur se më shumë burime energjetike nga partnerët e Evropës janë të nevojshme për sigurinë dhe stabilitetin.

Lexo më shumë  Barrot: Pas komenteve të Trumpit, Franca po shqyrton vendosjen e trupave në Grenlandë

“LNG-ja amerikane duhet të paguhet me para, por gazi rus ka një kosto jo vetëm të parave, por edhe të pavarësisë dhe sovranitetit. Shumë në Evropë tashmë e kanë kaluar këtë dhe kanë zgjedhur të ruajnë pavarësinë dhe sovranitetin e tyre. Por jo zoti Fico ”, shtoi Zelensky.

Komentet e tij erdhën disa orë pasi Fico tha se udhëheqësi ukrainas është një “armik” i Sllovakisë.

Në përgjigje, Ministria e Jashtme e Ukrainës akuzoi Fico-n se po përpiqej të “transferonte përgjegjësinë për dështimet e tij në politikën e brendshme tek shtetet dhe liderët e huaj”, duke pretenduar se ai dhe disa ligjvënës ishin “helmuar nga propaganda ruse”.

“Ne kemi besim se një lëvizje dhe një politikë e tillë e Robert Ficos është kundër zgjedhjes së popullit të Sllovakisë për të qenë pjesë integrale e komunitetit evropian”, thuhet në deklaratë.

Më 1 janar, një marrëveshje pesëvjeçare midis Moskës dhe Kievit për tranzitin e gazit rus përmes Ukrainës skadoi pasi kjo e fundit refuzoi të zgjaste marrëveshjen “në interes të sigurisë kombëtare”.

Fico ka kërkuar rifillimin e tranzitit të gazit rus përmes Ukrainës dhe zyra e tij tha se çështja do të diskutohet me zyrtarët e Komisionit Evropian sot.

Rruga Press

YouTube player