Zelenski: Nuk tërhiqemi, vijojmë luftimet në Bakhmut
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski tha publikisht se trupat ukrainase janë të gatshme për të vazhduar luftimet në Bakhmut, pasi fillimisht u duk se ato do të tërhiqeshin.
Gjatë javëve të fundit, Moska ka dërguar mijëra trupa në përpjekje për të marrë kontrollin e qytetit në lindje të Ukrainës dhe për të arritur, pas më shumë se gjysmë viti, një fitore në terren.
Forcat ukrainase kanë hapur llogore më në perëndim dhe gjatë ditëve të fundit u duk se po përgatiteshin për t’u tërhequr.
Por gjatë fjalimit të tij të përnatshëm, të hënën, Zelenskiy tha se Kievi ka vendosur jo vetëm që trupat ukrainase të qëndrojë për luftime, por edhe të forcojnë qytetin, me sa duket i bindur se humbjet e Rusisë në përpjekjet për të marrë qytetin, do të jenë më të mëdha se humbjet e Ukrainës.
“Komanda në mënyrë të unifikuar mbështeti vendimin për të mos u tërhequr”, tha Zelensky. “Nuk kishte mundësi të tjera. I thashë komandantit që të gjente forcat e duhura për t’i dërguar në ndihmë të ushtarëve tanë në Bakhmut”, tha Presidenti ukrainas.
Rusia thotë se marrja e kontrollit të Bakhmutit do të ishte një hap i rëndësishëm për zgjerimin e kontrollit mbi këtë territor, në rajonin industrial të Donbasit dhe do të shënonte një fitore të madhe në terren.
“Qyteti është një qendër e rëndësishme për mbrojtjen e trupave ukrainase në Donbas. Vënia nën kontroll e tij do të lejojë kryerjen e sulmeve të mëtejshme në zonat mbrojtëse të Ukrainës”, tha ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu.
Ekspertë perëndimorë thonë se qyteti i shkatërruar nuk ka rëndësi të madhe, por sulmi i Rusisë mund të synojë arritjen e një fitoreje simbolike në mbyllje të ofensivës dimërore, gjatë së cilës janë rekrutuar mijëra rezervistë dhe luftëtarë të grupit paraushtarak “Wagner”.
Komanda ushtarake ukraninase tha në raportin e së martës se 1, 6000 rusë ishin vrarë në 24 orët e fundit. Të dhënat për viktimat ndër radhët e forcave ruse nuk mund të konfirmohen dhe palët nuk japin në mënyrë të rregullt të dhëna për humbjet e tyre. Por, në të shkuarën, raporte të ngjashme të lëshuara nga Ukraina mbi humbjet e Rusisë, kanë përkuar me dështime të mëdha të sulmeve ruse.
Luftimet në qytet favorizojnë forcat mbrojtëse. Disa zyrtarë ukrainas janë shprehur ditët e fundit se raporti mes humbjeve ndër radhët e ushtarëve rusë dhe atyre ukrainas, ishte 7 me 1.
Për palën ruse, beteja në qytetin e Bakhmutit ka vënë në dukje përçarjen mes forcave të ushtrisë dhe luftëtarëve të grupit paraushtaraka Wagner. Udhëheqësi i tyre, Yevgeny Prigozhin, përmes disa videove, ka akuzuar zyrtarët se nuk po i furnizojnë me armatime njerëzit e tij.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohon që të ketë ndaluar furnizimin me armatime për grupin Wagner, por nuk i është përgjigjur akuzave të fundit të zotit Prigozhin. Deri tani, Kremlini ka heshtur mbi këto përplasje./VOA
Rruga Press