Zbulohet lidhja e Abazoviçit me serbët, vëllai: Po, jam ortak biznesi me partneren e Brnabiçit
Prej disa ditësh tashmë, ne mediat kryesore të rajonit kanë qarkulluar zëra për një marrëdhënie të mundshme biznesi mes vëllait të kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe partneres së kryeministres serbe Ana Brnabiç.
Tashmë, mediat në Serbi kanë mundur të marrin edhe dëshminë e vëllait të Abazoviçit, i cili shpjegon sesi qëndron e vërteta, sipas tij.
Mesa duket nga intervista, mjeku është “mërzitur” që mediat janë fokusuar te fakti që vëllai i tij është kryeministër i një shteti fqinj, ndërsa shefja e radiologjisë është partnerja e kryeministres së vendit.
“Në maj të këtij viti, një grup mjekësh që bënë emër në mjekësi hapën Spitalin e Përgjithshëm “Biocell spital” në Beogradin e Ri. Institucione të reja, veçanërisht në ndërtesën BIGZ, nuk janë planifikuar”, thotë Xhihan Abazoviç, vëllai i kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Kjo është përgjigja e tij ndaj spekulimeve që janë bërë së fundmi se vëllai i tij ka mundësuar hapjen e një spitali të ri në godinën në fjalë , së bashku me partneren e kryeministres së Serbisë, Milica Gjurgjiç.
“Fakti që vëllai im është kryeministër mori shumë më tepër vëmendje mediatike sesa CV-ja ime, tha ai.
Çfarë thonë të dhënat?
Sipas të dhënave që disponojnë mediat në Serbi, pronar dhe themelues i Spitalit të ri të Përgjithshëm “Biocell Hospital” është kompania Vincula Biotech Group, e themeluar në vitin 2017 si Forever Young. Vitin e kaluar, ajo e ndryshoi emrin e saj në “një më të këndshëm”, sipas Abazoviçit, i cili më pas u bë drejtor i saj.
Pronari më i madh i Vincula është kompania qipriote Ensifolia Limited, ajo zotëron 75 për qind të kapitalit, pastaj 15 për qind është në pronësi të Robne kuće Beograd, d.m.th si pronari përfundimtar Milija Baboviç, ndërsa pjesa e mbetur është e lidhur me mjekët si persona fizikë me nga pak për qind pjesë secili.
E gjitha kjo ndodh ndërkohë që vëllai i Abazoviçit mjek, Abazoviçi kryeministër, është shprehur dhe ka marrë vendime që i shkojnë për shtat Serbisë.
Dritan Abazoviç u bë politikani i parë jo serb në Malin e Zi që u deklarua pro Ballkanit të Hapur dhe këtë e bëri nga pozita e kryeministrit.
Gjithashtu Abazoviçi nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe një marrëveshje e cila u quajt tradhëti kombëtare nga presidenti Gjukanoviç.
Marrëveshja mes Abazoviqit dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban disa pika të cilat pretendohet se adresojnë marrëdhëniet midis qeverisë malazeze dhe kishës serbe.
Fillimisht, marrëveshja përcakton obligimet e shtetit malazez ndaj institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe:
- Ajo e detyron qeverinë malazeze të njohë imunitetin diplomatik apo të drejtat ekstraterritoriale të institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe në vend – gjë që i përjashton ato nga juridiksioni / ligjet lokale;
- Qeveria është e detyruar të regjistrojë të gjithë kishat ortodokse në vend nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të nisë procesin e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë ndërtesat e konfiskuara nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore;
- Marrëveshja përcakton që Kisha Serbe nuk ka nevojë të marrë leje nga qeveria malazeze për të lëvizur objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë të regjistruara nën pronësinë e saj;
- Gjithashtu, ajo i jep Kishës Ortodokse një status juridik i cili në disa zona, parashikohet të jetë i njëjti me atë të institucioneve qeveritare;
- Së fundmi, ajo parashikon mundësinë e shtrirjes së mësimeve fetare në shkolla publike dhe kontrollit dhe aprovimit të tyre vetëm nga Kisha Serbe.
Gjithashtu Abazoviçi tentoi të përgjithësojë përgjegjësinë e krimit të kryer nga serbia në Srebrenicë, Bosnje.
Abazoviçi gjatë fjalimit të tij ka thënë se “Gjenocidi nuk është bërë ndaj boshnjakëve, por ndaj njerëzve” dhe se “Nuk është kryer nga ushtritë, por nga politikanët”.
Për deklaratën e tij janë bërë disa reagime në rrejte sociale.
Organizata joqeveritare boshnjake-hercegovinase, Nënat e Srebrenicës, që mbledh të mbijetuarit dhe anëtarët e familjeve të të vrarëve dhe të zhdukurve në vitin 1995, ka kërkuar që Abazoviçi të kërkojë falje.
“Kryeministri, Dritan Abazoviç të na kërkojë falje neve dhe të gjitha viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Fëmijët tanë u vranë vetëm pse janë boshnjakë, u vranë nga një ushtri e organizuar. Në Potoçari nuk ka vend për relativizimin e krimit”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Nisur nga gjithë këto komponentë, thua të jetë rastësi ortakëria e vëllait të Abazoviçit kryeministër të Malit të Zi me partneren e Brnabiqit kryeministre të Serbisë?
Rruga Press