Opinion/Aktualitet

Zbulohet kamera që regjistroi zgjedhjet e fundit në Partinë Socialiste, atë moment të rrallë kur në PS pati një garë të vërtetë

Fejton nga Lutfi Dervishi

Një relike historike është zbuluar sot nga arkeologët politikë të Shqipërisë! Pas gërmimeve të thella në arkivat e demokracisë së brendshme, është gjetur kamera që regjistroi për herë të fundit zgjedhjet në P. S. Ekspertët besojnë se kjo është prova e vetme që dikur ka ekzistuar një proces votimi brenda kësaj force politike.

Kamera, e markës Nikon, por me një shtresë ndryshku që mund të jetë më e lashtë se vetë pluralizmi, besohet të jetë përdorur për të fiksuar në celuloid atë moment të rrallë kur në PS pati një garë të vërtetë. Data e saktë nuk mund të përcaktohet, pasi historianët po debatojnë nëse zgjedhjet e fundit ishin në shekullin e kaluar apo thjesht një legjendë urbane e përcjellë gojë më gojë, brez pas brezi.

Lexo më shumë  Rama e Berisha në garë për të harruar Çamërinë

Dëshmitarët historikë (të cilët preferojnë të mbeten anonimë, sepse po presin bonusin pranveror) tregojnë se dikur në këtë parti ekzistonte një koncept i çuditshëm i quajtur “zgjedhje”, por ai u zhduk në mënyrë misterioze, rreth të njëjtës kohë kur fjalët “konkurrencë”, “garë”, llogaridhënie u shpallën arkaike.

Burime të afërta me partinë thonë se kamerën e kanë nxjerrë nga një bodrum ku ruheshin edhe protokollet e vjetra të demokracisë së brendshme. “Ne e ruajtëm si kujtim,” tha një burim anonim. “Ishte një kohë kur njerëzit mendonin se mund të votonin për më shumë se një kandidat. Kohë naivësh!”

Ndërkohë, kameramanët e Rilindjes kanë konfirmuar se pajisja është tashmë muzeale. “Ne sot kemi teknologji shumë më të avancuar,” tha një teknik i afërt me qeverinë. “Sot nuk kemi nevojë për kamera që filmojnë zgjedhje ne kemi kamera që transmetojnë vetëm sukseset e liderit në kohë reale.

Sipas ekspertëve, mundësia e fundit për të parë zgjedhje të hapura në PS është e krahasueshme me mundësinë që kjo kamerë të ndizet përsëri, e pamundur, por gjithmonë një histori interesante për brezat e ardhshëm.

——-

Ky është aparati që ka bërë fotot, herën e fundit kur janë zhvilluar zgjedhjet në PS!

Rruga Press

YouTube player