Zbulohen kompanitë e vëllait të Erion Veliajt në Austri
Disa gjëra janë lehtësisht për t’u zbuluar.
Mjafton të ndjekësh median klientelë të pushtetit, në veçanti opinionistët apo analistët e banaqeve televizive, ku kupton mjaft mirë mes rreshtash dhe detajesh që me atë që ata japin ti mund të zbulosh lidhje pafund të korrupsionit, të parave, të mënyrave si funksionojnë shumë hallka.
Propaganda shpesh i devijon të vërtetat, por në fakt në këtë rast ne duam të përshëndesim publikisht dhe të falënderojmë gazetarin Lorenc Vangjeli, i cili na dha mundësinë që ne të bëjmë një INVESTIGIM të thjeshtë për të zbuluar kompanitë e vëllait të Erion Veliajt, zotit ARBËR VELIAJ.
Këtij të fundit iu kontrollua shtëpia nga SPAK-u disa ditë më parë dhe së bashku me Ajola Xoxën janë dy nga personat kryesorë të përfshirë në investigimin që po bën Prokuroria e Posaçme në lidhje me akuzën e mundshme dhe të dyshuar për korrupsion ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Dy ditë më parë, në një nga mediat kryesore në vend, Lorenc Vangjeli, nga të paktët analistë që ka ngelur në prehrin e Erion Veliajt, tha se vëllai i Erionit, Arbër Veliaj, ishte një biznesmen i talentuar që kishte aktivitete jashtë vendit, si në Austri, ku në fakt ai na dha edhe vendndodhjen e Arbrit në momentin ku SPAK-u ka shkuar për kontroll.
Se si një gazetar e di se ku ndodhet vëllai i një kryetari bashkie, çfarë aktiviteti tregtar ka, kjo nuk përbën habi, por të dijë detaje në momentet e halleve të mëdha me drejtësinë kjo tregon jo pak.
Ne kontaktuam me disa website zyrtare, të cilat sigurojnë dokumente që mbajnë vulën e Ministrisë së Drejtësisë në Austri dhe ne e zbuluam kompaninë “Gogel GmbH”, e cila ka filluar aktivitetin nga data 28 tetor e viti 2021 dhe në vazhdim.
Kjo kompani e regjistruar në adresën “Marxergasse” në Vjenë, ka si fushë të saj të aktivitetit kryesor marketingun dhe reklamimin, kjo kryesisht në fushën e IT dhe ofron shërbime të tjera teknike në fushën e teknologjisë së informacionit.
Kompania ka një “share capital” prej 35.000 eurosh dhe administrohet nga dy drejtorë, nga Arbër Veliaj që është aksioner dhe nga shtetasi Gjergji Xhoxhaj.
Nga maji i vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Ministria e Drejtësisë në Austri, shtetasi Arbër Veliaj është 100% aksioner i “Gogel GmbH” në Austri, e cila nga ana tjetër është 100% aksionere e kompanisë “Reg Investitions GmbH”.
Pra, Arbër Veliaj ka dy kompani të regjistruara në Austri. E para si një agjenci publicitare, e cila drejtohet, siç theksuam më lart, nga Gjergji Xhoxhaj.
Kompania e dytë, “Reg Investitions GmbH”, në Austri, ka të njëjtën adresë me kompaninë “Gogel GmbH”.
Ne po sjellim dhe një skemë të lidhjeve të kompanisë me regjistrimin të siguruar dhe më të dhëna të tjera si lidhen Arbër Veliaj, “Reg Investitions GmbH”, “Gogel GmbH” dhe shtetasi Gjergji Xhoxhaj.
CNA ka mundur gjithashtu të sigurojë edhe dokumente të tjera ekskluzive siç janë ekstrakte historike me të dhëna të qarkullimeve në kompanitë e Arbër Veliajt ku bëhet fjalë që shuma të shkojë deri në disa miliona euro, megjithëse një aktivitet në kohë shumë të shkurtër në Austri.
Të gjitha këto të dhëna janë zyrtare të siguruara nga faqe legale që mbajnë vulën e Ministrisë së Drejtësisë.
Një investigim mjaft i thjeshtë, pasi dokumentet gjenden online në vendet e tregtisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Nuk ka asgjë sekrete në investigimin tonë, thjesht dhe vetëm ne kemi provuar aktivitetin e Arbër Veliajt jashtë Shqipërisë që shtrihet në dy kompani, njëra për investime dhe tjetra kompani në fushën e reklamimit.
Lidhja e tyre më pas me Arbër Veliajn, me kompanitë në Tiranë, me shumat e parave të qarkulluara, me skemat si funksionojnë dhe për çfarë janë përdorur më tej i përket SPAK-ut.
CNA do të sjellë të tjera dokumente ekskluzive, siç e theksuam më lart, të dhëna të kompanive me shifrat e qarkullimit, me ekstraktet historike dhe detaje për të treguar se si Arbër Veliaj në një kohë të shkurtër bleu një kompani duke e kthyer në kryesoren e reklamimit në Shqipëri siç është kompania “Gogel”, duke pasur me dhjetëra klientë, të cilët kanë qenë sa klientët e Erion Veliajt aq edhe të Arbër Veliajt, pasi shumica e tyre janë përfitues nga firma e kryebashkiakut të Tiranës apo institucioni që ai drejton dhe tashmë SPAK-u po bën gjithçka transparente për të çuar në fund hetimet që lidhen më kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i dyshuar për akuzën për korrupsion, dhe familjarët e lidhur me të.
Cili ka qenë roli i tyre, i vetë kryebashkiakut dhe çfarë ka ndodhur me këto kompani?/ CNA
Rruga Press