Lajme

Zbulimi i katër varreve rikthen ‘hijet e diktaturës’ në Përmet

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë dyshon se katër varret i përkasin të zhdukurve nga diktatura komuniste, ndërsa Prokuroria e Përmetit thotë se varret mund t’i përkasin një periudhe më të hershme si Mesjeta.

Gjatë gërmimeve për zgjerimin e bulevardit në qytetin e Përmetit, një kompani ndërtuese zbuloi katër varre më 7 korrik, duke trazuar qytetin e vogël në jug të Shqipërisë.

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë ngriti dyshime se varret u përkasin të zhdukurve nga diktatura komuniste dhe se mund të bëhet fjalë për një varrezë masive.

“Janë katër varre që janë gjetur, por në fakt dyshohet nga dëshmitarët dhe nga indiciet që të jetë një varrezë shumë e madhe,” tha Nebil Çika, kryetar i shoqatës.

Çika e mbështeti dyshimin e tij mbi faktin se pranë zonës së gërmimit gjendej një repart ushtarak gjatë viteve të diktaturës komuniste.

Lexo më shumë  OSBE mbështet bashkëpunimin në mes Kosovës e Karolinës së Veriut

“Në bazë të të dhënave që kemi dhe nga arkivi i Ministrisë së Brendshme, por edhe nga dëshmitarët, këto lloj repartesh të izoluara, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme  dhe të Sigurimit të Shtetit përdoreshin dhe si vende ekzekutimi për kundërshtarët e regjimit,” tha Çika. “Ata që dënoheshin me vdekje, ata që vriteshin ose kapeshin në kufi, varroseshin në këto vende,” shtoi më tej ai.

Sipas Prokurorisë së Përmetit, kompania ndërtuese kishte njoftuar në 7 korrik për zbulimin e varreve dhe pas mbajtjes së procesverbalit përkatës, ishte vendosur pezullimi i punimeve. Megjithatë, Prokuroria dyshon se varret i përkasin një periudhe më të hershme të mesjetës.

“Është zhvilluar një këshillim paraprak me specialistë të Monumenteve të Kulturës, pasi prej tyre dyshohet se varret janë më të hershme,” tha Asllan Bajrami, prokuror në Përmet.

Ai shtoi se ishte në pritje të vlerësimit të akeologëve dhe specialistëve të Mjekësisë Ligjore përpara se të vazhdonte më tej me hetimet.

Lexo më shumë  Jashari dhe komandanti i kontingjentit turk flasim për zhvillimin e FSK-së

Tre dekada nga rënia e komunizmit, mijëra familje shqiptare janë ende në pritje për të mësuar se si dhe ku u vranë të afërmit e tyre.

Numri i saktë i të zhdukurve mbetet i paqartë, megjithatë vlerësohet se rreth 6 mijë njerëz u vranë ose vdiqën në burgjet shtetërore mes viteve 1944-1991 dhe trupat e tyre nuk u gjetën kurrë.

Vetëm në Përmet, dhjetëra familje të përndjekura në komunizëm thonë se mbi 100 të pushkatuar me dhe pa gjyq gjatë viteve të regjimit nuk u janë gjetur eshtrat, pavarësisht kërkimeve të familjarëve të tyre.

Një marrëveshje e lidhur mes qeverisë shqiptare dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, për gjetjen e eshtrave të personave të zhdukur në komunizëm ka mbetur në vendnumëro./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *