Lajme

Zbardhet vendimi për grupin e Shullazit, çështja për rekurs në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër ka zbardhur vendimin ndaj Emiljano Shullazit dhe katër anëtarëve të tjerë të grupit të tij, të dënuar në total me 55 vite burg.

Në vendimin nga tre anëtarët e Apelit të GJKKO-së, e kryesuar nga Miliana Muça dhe gjyqtarët Daniela Shirka e Astrit Kalaja, anëtarët e grupit Shullazi janë dënuar për zhvatje pasurie, kërcënim e grup të strukturuar kriminal.

Referuar vendimit ata janë shpallur fajtorë për krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe zhvatjen e pasurisë e kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zarka.

Për këto vepra i pandehuri Emiljano Shullazi u dënua me 14 vjet burg, Gilmando Danin me 12 vjet burg, Endrit Qyqjan dhe Endrit Zelën me nga dhjetë vjet burg, si dhe Blerim Shullazin me 9 vjet burg.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Ndërkohë, grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynur Koni dhe ish-rektorit Dhori Kule, si dhe për vendosjen e tritolit në garazhin e biznesmenit Jani Zarka.

Në apel dy prokurorët e kësaj dosjeje, Altin Dumani dhe Ened Nakuçi hoqën dorë nga ankimi i kryer më parë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda. Mësohet se zbardhja e vendimit është bërë ditën e djeshme.

Pas zbardhjes tashmë pritet që Emiljano Shullazi t’i drejtohet me rekurs në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar apelin lidhur me vendimin e apelit të GJKKO, për shkelje proceduriale. Kujtojmë se vendimi u dha pa praninë e avokatëve.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Procesi në Apel për Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij nisi prej janarit të vitit 2019 dhe u finalizua me vendim në fund të vitit të kaluar, pas afro tre vitesh.

Dhjetëra seanca të këtij procesi dështuan për shkak të mosparaqitjes së avokatëve, për shkak të mosnjoftimit të tyre, për pamundësinë e formimit të trupit gjykues, si dhe për shkak të  mosparaqitjes së ndonjë prej te pandehurve.

Rruga Press

YouTube player