Lajme

Zaçaj për mediat italiane: 2 pikat “kritike” pse pezulluam paktin për emigrantët

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Holta Zaçaj, ka dhënë një intervistë për Corriere Della Sera pas pezullimit të ratifikimit nga Kuvendi të marrëveshjes së emigrantëve me Italinë.

Në intervistën e saj, Zaçaj është shprehur se janë dy pika kritike që duhen hetuar në Gjykata Kushtetuese, nëse janë në përputhje me ligjin.

“Zakonisht nuk flas me shtypin, por e kuptoj që kjo çështje është e rëndësishme dhe delikate jo vetëm për ne, por edhe për Italinë dhe ndoshta është e drejtë të sqarohen pak gjërat”, tha Zaçaj.

Kryetare të sqarojmë ndërkohë pyetjen: a i thotë Gjykata Kushtetuese “jo” marrëveshjes Romë-Tiranë?

“Jo. Procesi që çon në ratifikimin e marrëveshjes është pezulluar pasi mbi një e katërta e deputetëve shqiptarë na kanë kërkuar të kontrollojmë kushtetutshmërinë ose jo të protokollit të nënshkruar mes dy vendeve. Ne kemi vlerësuar se ankesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë dhe sipas rregullores sonë kjo sjell automatikisht ndërprerjen e procedurave parlamentare për ratifikimin. Por dua të sqaroj: ne nuk kemi hyrë në brendësi të protokollit të nënshkruar”.

Lexo më shumë  47 miliard lekë oligarkëve për 10 ditë. Qeveria Rama hap thesin zgjedhor

Çfarë kundërshtojnë tridhjetë deputetët?

“Në thelb dy aspekte. E para: mosrespektimi i pretenduar i procedurës së negociatave dhe nënshkrimit. Sipas tyre, kjo lloj marrëveshje kërkon autorizimin e presidentit pasi prek çështje territoriale. Shkurt, për ta nuk mund të jetë një marrëveshje mes qeverive, por mes shteteve”.

Dhe aspekti i dytë?

“Sipas tyre, protokolli mund të çojë në shkeljen e të drejtave të njeriut.”

Pse shkaktohet pezullimi automatik i procesit parlamentar?

“Sepse pas ratifikimit Gjykata, sipas rregullave tona, nuk mund të kontrollojë më legjitimitetin ose jo të marrëveshjes. Dhe ankimi ngre dyshime për kushtetutshmërinë e protokollit”.

Lexo më shumë  Osmani takoi ambasadorin turk, i kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Në seancën e 18 janarit, a do të hyjë Gjykata në themel të marrëveshjes Rama-Meloni?

“Na kërkohet një gjë e tillë, duhet të shqyrtojmë në detaje protokollin mbi ato dy pika të ngritura nga një e katërta e Kuvendit të Shqipërisë. Por e përsëris sërish: ne nuk kemi hyrë vërtet në këtë çështje”.

Ka nga ata që kanë frikë nga lëvizjet e opozitës për t’ju detyruar të shtyni vendimin.

“Dy palët do të duhet të dërgojnë dokumentacionin deri më 4 janar 2024. Dhe që nga dita e sotme, për paraqitjen e ankesës (6 dhjetor 2023) kemi maksimum tre muaj për të vendosur. Në këtë rast konkret do të thotë që deri më 6 mars 2024 Gjykata duhet të thotë nëse marrëveshja është legjitime apo jo”.

Rruga Press

YouTube player