Opinion/Aktualitet

Yuri Kim në dyqanin e qelqurinave

Nga Andi Bushati

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka bërë një ndërhyrje flagrante në konfliktin e një organizate politike, aq sa për nga brutaliteti dhe aroganca do ti’a kishte zili dhe pasardhësi i saj i largët Rajerson, që mbërriti në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit. 

Që nga koha e këtij të fundit, në këtë vend, është bërë pothuajse normalitet që diplomatët amerikanë të përzihen në punët e brendëshme të një shteti sovran, madje duke u angazhuar si palë në garën mes forcave politike që luftojnë për pushtet. Sa për hir të historisë sonë të veçantë në marëdhëniet me SHBA-në, po aq edhe për një mentalitet shqiptar, që imponon kërrusjen përpara perandorive, qofshin ato ottomane, ruse apo kineze, një gjë e tillë është konsideruar nga shumica si normalitet. Kërkush nuk ka tentuar, ta shohë këtë si një padrejtësi, apo si një shkelje të nenit 41 të Konventës së Vienës, që i ndalon diplomatët e akredituar në një shtet ta kalojnë limitin e ndëhyrjes së tyre.

Madje edhe kur ky nen i famshëm, u bë lajm nga regjimi autokratik i Erdoganit, që i detyroi dhjetë shtetet më të rëndësishme të perëndimit të zbytheshin nga qëndrimet e tyre kundër burgosjes së opozitarit turk Osman Kavala, askush nuk tentoi të hiqte një paralelizëm me qasjen simetrike që ambasadorët e këtyre vendeve duhet të mbanin edhe tek ne.    

Por, këtë herë, ky limit i përdhosur prej kohësh u shty edhe më tej. Ambasadorja amerikane kapërceu edhe një kufi, duke u bërë palë jo më në punët e një vendi, por edhe në sherrnajën e brendëshme të një partie politike si PD-ja. 

Lexo më shumë  Shteti bektashi ka planifikuar rrëmbimin e Mësonjëtores së Korçës

Intervista e saj e kërkuar enkas në Top Channel, pikërisht në ditën që Sali Berisha do shpallte mbledhjen e 4200 firmave dhe 24 orë pasi ish shefi i shërbimeve sekrete të presidentit Trump, Grenell, pohoi se nuk kishte parë gjatë detyrës së tij prova për shpalljen “non grata” me lobimin e Soros, ishte një mbështetje e hapur për njërin grup demokratësh, në dëm të tjetrit. 

Edhe këtu, në pamje të parë, duket sikur nuk ka asnjë problem të madh, për sa kohë asnjëra nga palët, madje as ajo e dëmtuara, nuk u ankua për shkeljet që diplomatët amerikanë u bëjnë angazhimeve që shteti i tyre ka marrë ndërkombëtarisht. Në mendjet e të gjithëve, në Shqipëri, është ngulur ideja fikse se Amerika është mbi ligjin.

Prandaj, dhe analiza që duhet bërë nuk është në rafshin moral, se sa ka të drejtë të ndërhyjë ambasadorja, po se sa efikasitet ka hapi që ajo hedh. 

Edhe në këtë prizëm, shfaqja brutale e Yuri Kim ishte e panevojshme, mendjelehtë dhe jo efikase. Nëse qëllimi i saj i dukshëm ishte që të merrte anë pro Bashës dhe kundër Berishës, duhet pranuar se ndikimi i saj në këtë qerthull mund të jetë pranë zeros. Dhe jo për shkak të fajeve të PD-së, por si rrjedhojë e qëndrimeve të mbajtura nga ambasada amerikane prej kohësh.

Lexo më shumë  Pozicionimi i Perëndimit ndaj Serbisë, qëndrimi i opozitës dhe  Sindromi i Fregolit

Në mendësinë e një votuesi të PD, ambasada amerikane është ngulitur si një faktor mbështetës për regjimin e Ramës. Kur i ka parë përfaqësuesit e saj ti tregojnë se: lufta e Saimir Tahirit ndaj drogës është një histori suksesi; Se reforma në drejtësi po përparon pa u kapur politikisht nga regjimi; Se zgjedhjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë një hap përpara, ndonëse Venecia i konsideroi në shkelje të ligjit themeltar të shtetit; Se Rama ka të drejtë të shkojë përtej marëveshjes së 5 qershorit me garanci amerikane; Se ai e fitoi në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme 25 prillin dhe është një kryeministër legjitim, pra, kur i ka dëgjuar të gjitha këto, një militant demokrat e ka të vështirë të bindet se po i thuhet e njëjta e vërtetë me atë që ai beson.

Ai është i prirur ta pranojë ndershmërinë e goditjes ndaj Berishës, kohën dhe mënyrëm me të cilën u ekzekutua ajo, po në të njëjtën masë sa ka pranuar edhe ato që u përmendën më lart.    

Prandaj në këtë kuptim dhe nga ana pragmatike, ndërhyrja e Ambasadores Kim është krejtësisht e pa efektshme. Ajo është një lëvizje e çorodtitur që kapërcen normat e lejuara për një diplomat, pa arritur të krijijojë efekt. Ajo i ngjan një marshimi moskokçarës elefandi, në një butik kristalesh, pa u merakosur për pasojat që lë pas. 

Natyrisht, kjo mungesë inteligjente kalkulimi është pasojë e aktit të pamenduar, jo proporcional dhe jo simetrik në arenën politike, që u bë me non grata-n e Berishës.

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *