Xhelal Sveçla: Kosova e para në rajon për sigurinë, 64% e qytetarëve ndihen të sigurt
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Kosova vazhdon të renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sigurisë, duke iu referuar raportit “SecuriMeter 2025” të Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Sipas raportit, 64% e qytetarëve të Kosovës janë shprehur se ndihen “shumë të sigurt” ose “mjaft të sigurt” në jetën e tyre të përditshme, përqindja më e lartë ndër gjashtë vendet e rajonit.
Sveçla theksoi se ky vlerësim është rikonfirmim i besimit ndaj institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë, duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë ndaj ushtrisë dhe policisë, si dhe forcimin e kapaciteteve të tyre.
Ai shtoi se qëndrueshmëria institucionale ka ndikuar në rritjen e sigurisë, luftimin e fenomeneve negative dhe avancimin demokratik, ndërsa 80.5% e qytetarëve kanë deklaruar se nuk duan të emigrojnë, një tregues që, sipas tij, shënon përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme.
Në fund, Sveçla përgëzoi zyrtarët e institucioneve për përkushtimin dhe profesionalizmin në shërbim të Republikës dhe qytetarëve.
Rruga Press

