Xavi: Nuk e kam fshehur kurrë dëshirën që ta drejtoj Barcelonën
Ish-kapiteni i Barcelonës dhe trajneri aktual i Al Sadd në Katar, Xavi Hernández, ka dhënë një intervistë për “20 minuta”, ku në thelb flet për përvojën e tij në Katar dhe jetën atje. Gjithashtu iu referua ambicieve të tij si trajner:
“Ideja ime është të drejtoj Barcelonën. Nuk e kam fshehur kurrë këtë, është synimi dhe ëndrra ime. Nuk e di nëse do të ndodhë apo jo, do të kenë nevojë për mua apo jo, por për momentin jam i lumtur tek Al-Sadd. Ndihem shumë krenar për këtë. Nëse vjen një ofertë, do të vlerësohet dhe më pas do të përpiqemi të vendosim, por për momentin jam shumë i lumtur këtu”.
Për jetën në Katar, ai vuri në dukje: “Besoj se marrëdhënia ime me Katarin dhe familjen mbretërore do të mbetet përgjithmonë, sepse më kanë trajtuar shumë mirë. Më kanë dhënë shumë dashuri dhe respekt. Ndihem shumë i vlerësuar dhe kjo nuk mund të harrohet kurrë.
Unë jam një person mirënjohës dhe besoj se Katari më ka ndihmuar në shumë mënyra. Është një marrëdhënie që do të zgjasë përgjithmonë. Fëmijët e mi kanë lindur këtu në Katar, gruaja ime është e kënaqur këtu dhe ne jemi të gjithë shumë të lumtur”.
Për Kupën e Botës, ai nënvizoi: “E kam thënë tashmë shumë here, do të jetë një Botëror historik. Njerëzit do të befasohen. Së pari, për atë se si është vendi, për shkak të asaj se si është vetë Katari dhe pastaj për shkak të infrastrukturës”.