VV-ja do ta çojë në Kushtetuese vendimin e Supremes që ia refuzoi ankesën për votat me postë
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e ka akuzuar Gjykatën Supreme, duke thënë se ka marrë vendim politik në rastin e refuzimit të ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me votimin me postë.
Sallahu ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, për të kërkuar vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit.
“Si Lëvizje Vetëvendosje do të parashtrojmë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese, ku gjithsesi do të kërkojmë edhe masën e përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikueshëm politikisht”, ka shkruar Sallahu në Facebook.
Ai ka thënë se kanë informacione se diskutimi rreth vendimit ka qenë politik dhe jo juridik dhe ka paralajmëruar se do të ndjekin të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi.
“Jemi në kohën kur Prokuroria fillon hetimet në lidhje me dyshimet e bazuara për këtë proces dhe Supremja që hedh poshtë ankesën mbi këto. Kemi informacione nga brenda se diskutimi përgjatë vendimit në Supreme ka qenë kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor gjë që tregon pak a shumë për natyrën e vendimit. Por, si Lëvizje Vetëvendosje do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi”, ka shkuar Sallahu.
Nga Supremja, Vetëvendosje kishte kërkuar që të anulohen votat e Lidhjes Demokratike që kanë ardhur përmes postës.
Rruga Press