Vulini: Kush mendon keq për Putinin, mendon keq edhe për Vuçiqin
Ish-kreu i Agjencisë Serbe për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin, ka thënë se vendet perëndimore janë të shqetësuara për bashkëpunimin mes Rusisë dhe Serbisë, por se ai bashkëpunim është i fortë.
“Ky bashkëpunim i shqetëson ata që i pengon Serbia e lirë. E dini, kush nuk e do Rusinë nuk është mik i Serbisë. Dhe kushdo që është mik i Serbisë nuk është armik i Rusisë. Gjithmonë ka qenë kështu”, citohet të ketë thënë Vulin, shkruajnë mediat serbe.
Madje ai ka shkuar edhe më tej duke theksuar se “kush mendon keq për presidentin (Vladimir) Putin, mendon keq për (Aleksandar) Vuçiqin”.
“Kushdo që dëshiron të shkatërrojë Serbinë do (ta shkatërrojë) edhe Rusinë. Ashtu është”, ka shtuar Vulin.
Sipas tij, gjatë shekujve ishte e qartë se nëse Rusia nuk mund të mbijetonte, nuk do të mundte as Serbia.
“Nëse Rusia do ta kishte humbur luftën, nëse NATO-ja do të kishte fituar, a mendon vërtet dikush se Serbia mund të ekzistojë? Dhe jo vetëm Serbia… Pa një Rusi të lirë, të fortë, nuk ka Serbi të lirë dhe të fortë. Ky është një fakt, i pëlqen apo jo dikujt. Prandaj bashkëpunimi ynë është një pengesë e tillë për ata që nuk duan ta shohin Serbinë e lirë”, ka thënë më tej Vulin.
Ndryshe, rreth tre muaj më parë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte ndarë Urdhrin e Miqësisë për ish-drejtorin e Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Aleksandar Vulin.
Sipas një njoftimi, Vulin u nderua “për kontributin e madh të dhënë për zhvillimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes BIA-s dhe Shërbimit të Huaj të Inteligjencës të Rusisë [SVR] në fushën e garantimit të sigurisë shtetërore dhe të mbrojtjes ë interesave kombëtare të Serbisë dhe Rusisë”.
Rruga Press