Bota

Vulini i shpreh besnikërinë serbe Putinit: Serbia kurrë pjesë e NATO-s dhe kurrë sanksione Rusisë sa të jetë Vuçiqi president

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është takuar të mërkurën me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vulin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok.

Në takimin që u transmetua në YouTube, Vulini tha se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.

Vulini tha se për këtë arsye “presioni është i madh” ndaj Serbisë. Ai tha se Serbia kurrë s’do t’i vendosë sanksione Rusisë sa të jetë në krye Aleksandar Vuçiqi.

“Por, Serbia e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq është një Serbi që kurrë nuk do të bëhet anëtare e paktit të NATO-s, që kurrë nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë dhe kurrë s’do të lejojë të kryhen veprime anti-ruse në territorin e saj”, tha Vulini.

Ai i është ankuar Putinit edhe për Kosovën.

“Situata në rajon është shumë e vështirë. Kemi tentime të njëanshme të Prishtinës që totalisht ta ndryshojë situatën në terren, të shkelë Rezolutën 1244 dhe të tentojë të kryejë spastrim etnik të serbëve nga Kosova”, tha Vulin teksa u ankua edhe për Bashkimin Evropian se nuk po themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Lexo më shumë  Trumpi e emëroi për prokuror të përgjithshëm, Gaetz heq dorë pas presionit të publikut

Ai tha se është privilegj i madh që ka biseduar me presidentin rus.

Ndërkohë, Putini theksoi se e pret presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq të marrë pjesë në Samitin e BRICS në Kazan.

Putini tha se tashmë ftesa i është dërguar Vuçiqit.

“Ne presim presidentin Vuçiq në ngjarjen e BRICS në Kazan në një format më të zgjeruar. Kemi dërguar ftesën dhe shpresoj që ta pranojë”, tha Putini.

Ai në fillim të takimit tha se për marrëdhëniet ruso-serbe nuk ka nevojë të flitet “duke marrë parasysh rrënjët e tyre të thella, si dhe afërsinë shpirtërore dhe historike të rusëve dhe serbëve”.

Lexo më shumë  Pistorius e hodhi poshtë kandidaturën – Scholz do të rikandidojë për kancelar të Gjermanisë

Ai vuri në dukje vëllimin e tregtisë mes dy vendeve që ka rënë pak dhe tha se e di që qeveria e Serbisë po merret me këtë.

“Ne i jemi pafundësisht mirënjohës Rusisë dhe juve personalisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e integritetit tonë territorial. Ne e dimë se kudo që dëgjohet zëri i Rusisë, dëgjohet edhe zëri i Serbisë. Aty ku po tentojnë të shuajnë zërin e Rusisë nuk do të dëgjohet as zëri i Serbisë. Vuçiqi e di shumë mirë këtë dhe nuk do të lejojë në asnjë mënyrë të cenohen marrëdhëniet tona vëllazërore”, tha Vulin.

Departamenti i Shtetit të SHBA-së në një përgjigje për “Zërin e Amerikës” të martën tha se qëndrimi i SHBA-së për Vulinin është i qartë, “ai është i sanksionuar”.

Serbia ende nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës, ndonëse ka pasur vazhdimisht thirrje që ta bëjë këtë.

Rruga Press

YouTube player