Vulin e siguron Rusinë se Serbia nuk e ndryshon qasjen pas rënies së Qeverisë, akuzon inteligjencën e Perëndimit për protestat
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin ka siguruar Rusinë se dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq nuk do të ndryshojë qasjen e Serbisë ndaj Rusisë. Deklarimet ai i bëri për median shtetërore ruse “TASS”.
“Protestat e studentëve në Serbi, të mbështetura nga opozita, janë organizuar nga shërbimet perëndimore të sigurisë sipas skenarit të revolucioneve me ngjyra. Dorëheqja e kryeministrit Millosh Vuçeviq në mes të trazirave në rrugë nuk do të ndryshojë qasjen e udhëheqjes ndaj marrëdhënieve me Rusinë, e cila është një “aleat dhe mik”, ka thënë Vulin.
“Nuk ka dyshim se ngjarjet në Serbi u organizuan në përputhje me modelin e revolucioneve me ngjyra, si ato në Ukrainë, Gjeorgji, Bjellorusi dhe Kinë, dhe tani janë duke u nisur në Sllovaki. Shërbimet e inteligjencës perëndimore nisën, organizuan dhe financuan atë që po ndodh në Serbi me synimin për të rrëzuar qeverinë, por deri më tani nuk kanë arritur të rrëzojnë presidentin Vuçiq dhe të rrezikojnë shumicën parlamentare”, tha Vulin për TASS.
“Përkrah shërbimeve serbe të sigurisë, një pengesë tjetër kundër revolucioneve me ngjyra është bindja e shumicës së serbëve se autoritetet nuk mund të ndryshohen në rrugë dhe Serbia nuk duhet të ndjekë kurrsesi skenarin e Maidanit të Ukrainës. Ne jemi të vetëdijshëm se kudo që fituan revolucionet me ngjyra, populli filloi të plaçkitet dhe të tradhtohen shteti dhe kombi”, theksoi Vulin.
Vulin i cili i shërben presidentit serb Aleksandar Vuçiq për t’i mirëmbajtur lidhjet me Kinën dhe Rusinë, ndërsa ai pretendon se është kandidat për Bashkimin Evropian, i tha TASS se Serbia i “kushtoi vëmendje të veçantë rolit të rëndësishëm të Rusisë në mbështetjen e Serbisë, duke specifikuar se ndihma e vendeve të lira si Rusia dhe Kina është jashtëzakonisht e rëndësishme”.
“Dorëheqja e kreut të qeverisë Millosh Vuçeviq është një akt moral dhe në asnjë mënyrë nuk do të thotë ndryshim i politikës së Serbisë ndaj aleatit dhe mikes së saj Rusisë. Në ditët në vijim do të bëhet e qartë nëse do të formojmë një qeveri të re apo do të mbajmë zgjedhjet e reja. Mund t’iu them me siguri: përderisa Serbia udhëhiqet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe për sa kohë që unë jam pjesë e qeverisë serbe, Rusia mund të llogarisë në Serbinë vëllazërore”. /The Geopost/
Rruga Press