Vuçiqi, Stanishiqi, Bokani, hetimet në Milano, dëshmitari dhe akuza të reja: Revista gjermane “Der Spiegel” vjen me një hulumtim të thellë mbi gjuetinë ndaj njerëzve (e njohur si “Safari në Sarajevë”)
Nga Enver Robelli
Sot, më 17 mars, është publikuar libri “Snajperistët e fundjavës” i gazetarit italian Ezio Gavazzeni, që synon të zbardh “gjahun njerëzor” mbi Sarajevë. Revista gjermane “Der Spiegel” shkruan se dyshohet që pas organizimit qëndron shefi i shërbimit sekret serb Jovica Stanishiqi. Një gazetar kroat akuzon kryetarin serb Aleksandar Vuçiq për kontakte me pjesëmarrësit në gjuetinë ndaj njerëzve. Tre veteranë çetnikë vdiqën në mënyrë misterioze më 2025. A po fshihen kështu gjurmët e fundit të këtij krimi makabër?
Në arkivat e dhimbjes së Sarajevës, midis mijëra dëshmive, gjendet një dosje me shënimin “Irina Qishiq 1992–1993”. Brenda dosjes është një predhë e kalibrit 7.9 milimetra. Irina u vra vetëm katër ditë pas ditëlindjes së saj të parë, pak kohë pasi kishte mësuar të thoshte fjalën “babi”. Ajo ishte një nga 1600 fëmijët që ranë viktima të rrethimit katërvjeçar të qytetit nga trupat serbe të Bosnjës. Por, një pyetje rrëqethëse po trondit sot opinionin ndërkombëtar: A ishin të gjithë vrasësit serbë?
Sipas një hulumtimi të revistës gjermane “Der Spiegel”, 30 vjet pas luftës, Prokuroria e Milanos po shqyrton dyshimet se snajperistë të pasur nga Evropa Perëndimore udhëtonin drejt kodrave mbi Sarajevë për “safari” njerëzor. Sipas një padie penale, këta “gjuetarë” fundjave, me ndihmën e organizatorëve serbë, paguanin shuma marramendëse për të qëlluar mbi civilë, ku gratë shtatzëna dhe fëmijët kishin “çmimin” më të lartë.
Prokurorët Alessandro Gobbis dhe Marcello Viola po hetojnë për vrasje të shumëfishtë me motive të ulëta. Gjyqtari veteran Guido Salvini pohon se nuk ka më asnjë dyshim për ekzistencën e këtij tmerri: “Nga Italia kishin origjinën dhjetëra, nëse jo qindra autorë, të cilët udhëtonin në grupe nëpërmjet një sistemi të sofistikuar logjistik nga Beogradi drejt Sarajevës me helikopterë dhe automjete terreni”.
Hulumtimet e autorit italian Ezio Gavazzeni flasin për rreth 230 italianë, francezë, belgë dhe zviceranë që kanë operuar si vrasës me pagesë. Kriminologia Martina Radice shpjegon se bëhej fjalë për një “psikopati elitare”: njerëz që shpenzonin deri në 200’000 euro për një fundjavë vrasjesh për adrenalinë. Naser Husiq, ish-luftëtar i Armatës së Bosnjës, kujton se të premteve dëgjonin paralajmërime në radio nga ana serbe: “Dërgoni gratë dhe fëmijët në vend të sigurt”. Ky ishte sinjali se “snajperistët e fundjavës” po mbërrinin.
Vendi i preferuar për këta gjuetarë ishte varreza e vjetër hebraike mbi lumin Miljacka, ku viktimat ishin si në pëllëmbë të dorës. Pikërisht këtu shfaqet emri i Aleksandar Vuçiqit, sot President i Serbisë. Gazetari kroat Domagoj Margetiq pretendon se Vuçiq në rini ka shërbyer si vullnetar në këtë lokacion nën komandën e komandantit çetnik Sllavko Aleksiq, duke shoqëruar “mysafirët e huaj”. Edhe Vojisllav Shesheli, babai politik i Vuçiqit, ka thënë ky ka qenë pjesë e njësisë së Aleksiqit. Protokollet e gushtit 1992 sugjerojnë se vullnetarit Vuçiq i është dorëzuar një pushkë Zastava dhe se ai ka dorëzuar 20’000 marka gjermane të “dhuruara” nga një mysafir italian i quajtur Roberto R.
Edhe pse Vuçiq i ka mohuar akuzat si “dezinformim”, “Der Spiegel” vë në dukje se tre dëshmitarë kyç, ish-komandantë çetnikë, vdiqën në rrethana të mistershme brenda një kohe të shkurtër në fund të vitit 2025. Megjithatë, Aleksandar Liçanin, ish-ushtarak serb i Bosnjës, dëshmoi: “I shihja turistët e safarit, qëllonin mbi pleq e fëmijë dhe pastaj festonin deri në mëngjes.” Logjistika thuhet se drejtohej nga Dragosllav Bokan, një ish-paramiliatar, i cili tani është kryetar i këshillit drejtues të teatrit kombëtar të Serbisë. Ndërsa, sipas revistës gjermane, figura kyçe e “Safarit të Sarajevës” ishte ish-shefi i shërbimit sekret serb, Jovica Stanishiq. Deputeti boshnjak Zllatko Miletiq është i bindur: “Jam 100 për qind i sigurt se këto safari u organizuan nga shërbimet serbe të sigurimit. Sikur dëshmitarët të mos kishin vdekur ‘në mënyrë interesante’ vitin e kaluar, sot do të dinim çdo detaj.”
Rruga Press

