Lajme

Vuçiqi pretendon për çnjohje, por Kosova e Libia pajtohen për thellim raportesh

Libia ishte një nga nëntë shtetet të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka përmendur si shtetet që kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Por, përkundër pretendimeve, Kosova dhe Libia janë pajtuar të mërkurën për thellim raportesh, ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami.

“Në një bisedë miqësore, të zhvilluar në ambasadën e Libisë në Bruksel, dy ambasadorët diskutuan zhvillimet aktuale dhe sfidat e veçanta me të cilat përballen Kosova dhe Libia, përpjekjet e dy vendeve për forcimin e demokracisë dhe shtetësisë, si dhe situatat e përgjithshme gjeopolitike edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimorë edhe në atë të Magrebit. Posaçërisht u fol për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci ashtu edhe në fushat tjera”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Belgjikë.

Lexo më shumë  Nga Shqipëria pothuajse çdo vit, rreth 35 studentë shkojnë për studime me bursë për në Rusi, kjo duhet parë me kujdes strategjik

Bajrami po ashtu është shprehur se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Libisë, e cila në vitin 2013 e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe prej vitit 2015 dy shtetet kanë marrëdhënie diplomatike. Ai ka shtuar se tani është koha që këto marrëdhënie të funksionalizohen e thellohen më shumë.

Në anën tjetër, ambasadorja Jerary u shpreh se Libia e mirëpret vullnetin e Kosovës për bashkëpunim më të madh, sidomos në fushën e diplomacisë, sipas njoftimit të Ambasadës.

Pos Libisë, Vuçiqi më 4 janar pati thënë se njohjen e Kosovës e kanë tërhequr edhe Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Guinea, Barbuda, Saint-Lucia dhe Maldivet.

Megjithatë, të gjitha u mohuan nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës që ka thënë se s’ka pasur asnjë njoftim për tërheqje të njohjes.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *