“Vuçiqi e ka thirrur mbledhjen në OKB për ta tërhequr vëmendjen nga mashtrimet zgjedhore”
Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se shumë zëra në Bashkimin Evropian thonë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka ftuar qëllimshëm mbledhjen në Këshill të Sigurimit të OKB-së që të tërhiqet vëmendja nga mashtrimet në zgjedhjet presidenciale.
Ai është shprehur të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se Serbia është e bllokuar në rrugën e integrimit evropian për shkak të mossanksionimit të Rusisë dhe të dyshimeve për manipulim të zgjedhjeve. E sipas tij, edhe Kosova është ngjashëm e bllokuar “për shkak të veprimeve unilaterale”.
“Si Kosova që është e bllokuar ,edhe Serbia është e bllokuar në procesin e integrimit pasi për të hapur apo mbyllur një kapitull duhet pajtim i vendeve anëtare, e ka vende që s’duan që Serbia të ecën në këtë rrugë…Nuk janë të paktë ata që mendojnë se Vuçiqi qëllimshëm e ka thirrur në këtë moment të tërheqë vëmendjen e opinionit serb ndaj një krize në Kosovë, në kohën kur në Bruksel po flitet për mashtrime zgjedhore”, është shprehur Palokaj.
Sipas Palokajt, një hetim ndërkombëtar për procesin zgjedhor në Serbi do ta vendoste Vuçiqin në një pozitë edhe më të pafavorshme në rrugën drejt BE-së, e ka theksuar më pas se hetimi zor se mund të bëhet.
“Parlamenti Evropian ka kërkuar, por kjo s’do të thotë që do të ketë hetim ndërkombëtar. Serbia ka thënë se do t’i marrë parasysh rekomandimet, por Parlamenti tashmë ka thënë se i ka pasur vëzhguesit e vetë në Serbi e i kanë parë parregullsitë…S’është fjala për lëshim, por manipulim të qëllimshëm…Pasojat do të ishin edhe më të rënda sesa që tani janë. Pavarësisht se Serbia e ka statusin e vendit kandidat, nga 2021-a s’ka hapur asnjë kapitull sepse s’i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Nëse kësaj i shtohet edhe mashtrimi zgjedhor, do të ketë elemente që do të ngecë edhe më shumë në integrimin evropian”, ka thënë Palokaj.
Sipas Palokajt, ka zëra në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) se nuk dihet qëndrimi i Kosovës për propozimin e draft-statutit për Asociacion.
“…Sikur po japin porosi që strukturat paralele të ekzistojnë derisa të jetë Asociacioni… Akoma s’e kemi hapin e parë të themelimit të Asociacionit… Po flitet për taktizime që të kenë përparësi, qoftë në dialog apo në ndonjë proces tjetër”, ka shtuar ai.
Korrespodenti në Bruksel ka shtuar tutje se BE-ja insiston që marrëveshjet të zbatohen, ndonëse nuk janë nënshkruar.
“Në BE insistojnë që pajtimet që s’janë nënshkruar, ato kanë fuqinë ligjore e pritet nga palët që pa kushte t’i përmbushin obligimet, e sipas tyre, obligim është nisja e themelimit të Asociacionit”, ka shtuar Palokaj. /Koha.net/
Rruga Press