Lajme

Vuçiqi dhe Daçiqi me tone kèrcènuès ndaj shteteve që përkrahën Kosovën për antarësimin në Këshill të Evropës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti i tij do ta aplikojë parimin e reciprocitetit ndaj atyre që votuan pro Kosovës në Këshill të Evropës duke deklaruar se “nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin.

Më seancën e së martës të Qeverisë së Serbisë, ku është diskutuar për Kosovën, sipas Vuçiqit, janë ndarë detyrat në sferën e politikës së jashtme.

“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, ka thënë Vuçiqi.

Duke folur në një konferencë për media në Beograd, ai ka thënë se Serbia është mirënjohëse ndaj vendeve që kanë votuar të hënën kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ka veçuar Hungarinë.

“Ne i jemi mirënjohës sidomos Hungarisë. Ata [hungarezët] kanë dëshmuar se janë miqtë më të mëdhenj të Serbisë”, u shpreh Vuçiq.

Ai ka shtuar se Beogradi e ka ditur që Kosova e ka shumicën e mbështetjes në Këshillin e Evropës.

“Faleminderit Spanjës, Qipros, Rumanisë, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, që kanë votuar për të mbështetur Kartën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar vendeve që kanë votuar kundër vendimit për ta dërguar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës tek Asambleja e tij Parlamentare.

Këshilli i Ministrave i Këshillit të Evropës vendosi të hënën që aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ta dorëzojë në Asamblenë Parlamentare. Kështu nisën edhe zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e cila u dorëzua nga Kosova qysh në maj të vitit 2022. Sipas informacioneve nga Brukseli, 33 përfaqësues të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës votuan pro vendimit, shtatë ishin kundër dhe pesë abstenuan.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Vuçiq ka thënë se vendimi i Këshillit të Evropës për Kosovën është mbivotuar dhe se abstenimi praktikisht nënkupton votë “pro”.

Ai ka deklaruar se abstenimi i Greqisë – vend i BE-së që s’e njeh pavarësinë e Kosovës – ishte i pritshëm. Megjithatë, s’ka lënë pa komentuar abstenimin e Ukrainës.

“Ka pasur zhgënjim. Serbia kurrë nuk ka qenë e përmbajtur ndaj integritetit territorial të Ukrainës”, ka thënë Vuçiq.

Serbia ka votuar, po ashtu, kundër Kosovës në Këshill të Evropës, edhe pse me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dy vendet janë zotuar se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. Seanca e Qeverisë së Serbisë, ku temë e parë e rendit të ditës ishte Kosova, u mbajt pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, të cilat u zhvilluan më 23 prill.

Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit për normalizim raportesh me Kosovën, duke kërcënuar shtetet që përkrahin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë të martën se raportet e Serbisë me shtetet tjera do të varen nga votat e tyre për çështjen e Kosovës. Neni katër i Marrëveshjes bazë thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Serbia ka kërcënuar Malin e Zi pasi votoi pro aplikimit të Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës të hënën. Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se tani Mali i Zi nuk mund të llogarisë në votat e Serbisë kur do t’i duhen. Mali i Zi ishte ndër 33 shtetet e Këshillit të Evropës që votuan pro aplikimit të Kosovës. Kundër ishin shtatë, ndërsa abstenuan pesë shtete.

“Mali i Zi ka mundur të paktën të përmbahej. Duhet të veprojmë me reciprocitet. Mali i Zi ka votuar për pranimin e Kosovës. Edhe atyre do t’u duhet ndonjëherë vota jonë, në të cilën sigurisht që s’mund të llogarisin”, ka thënë Daçiqi të martën.

Ai është shprehur i befasuar edhe me votën abstenuese të Ukrainës. Sa i përket abstenimit të Bosnjës, Daçiqi ka kaluar te çështja e “integritetit territorial”.

“Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, a ka pasur ndonjëherë në fjalimin tim rast që të mos përmendim integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës? Tani kur dikush të na pyes, ne do të përmbahemi. Pra, pse ne do të ishim për integritetin territorial të Bosnjës dhe ata të abstenojnë”, ka deklaruar më tej Daçiq.

Daçiq është shprehur i befasuar edhe me abstenimin e Greqisë dhe Sllovakisë.

Ka pasur urime për Qipronë, Spanjën, Rumaninë, Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë, ndërsa ka falënderuar ndaras Hungarinë, që si shtete njohëse, votoi kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *