Vuçiq rehabiliton Radko Mlladiç-in, Edi Rama kujdeset për forcimin e Serbisë në dialogun me Kosovën!
Shkruan Enver Bytyçi
Ekstremistët e djathtë në Serbi kanë pikturuar e stampuar në një faqe muri në Beograd portretin e kriminelit të luftës, Radko Mçlladiç. Ndërkaq shteti, policia e drejtësia në kryeqytetin serb nuk kanë reaguar. Madje ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin, thotë se nuk do ta heqë këtë portret. Ai ka vënë policinë që ta ruajë atë. Para disa javësh e zhgarravitën këtë portret, por përsëri ai gjendet aty.
Portreti i madh i Mlladiç në faqen e një ndërtese në mes Beogradit po përdoret si sfidë e regjimit të Aleksandër Vuçiq jo vetëm ndaj paqes e sigurisë në rajon, por edhe ndaj civilizimit euro-atlantik. Radko Mlladiç është ekzekutori i masakrave në Bosnjë-Hercegovinë. Është autori i masakrës më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, asaj të Srebrenicës. Është udhëheqësi ushtarak që i shkaktoi boshnjakëve dramën më të madhe në historinë e tyre. Dhe gjithçka për territore e për krijimin e Serbisë së Madhe.
A është portreti i tij në Beograd mesazh se “Serbia e Vuçiq po rikthen konfliktet e viteve 1990 në rajon? Sigurisht që po. Deklaratat për “botën serbe” nuk janë gjë tjetër veçse thirrje për konflikte. Sepse këto deklarata të projektuara më parë në strategji të caktuara shtetërore shpallin ambicien dy shekullore të Serbisë për krijimin e asaj që quhet Serbi e Madhe brenda së cilës përfshihet Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Mali I Zi dhe Kosova.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në vitin 2007 nuk ishte ende në pushtet. Ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Partisë Radikale të Shejshelit dhe Tomislav Nikoliçit. Por ai po përgatitej që të bëhej pjesë e qeverisjes. Pikërisht në përpjekjet e tij për të ardhur në pushtet asokohe me arrogancë hoqi tabelën e Zoran Xhinxhiçit në Bulevardin që mbante emrin e tij në Beograd dhe në vend të tij vendosi tabelën me emrin e Ratko Mlladiçit, edhe pse ky i fundit po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare për Jugosllavinë në Hagë. Vuçiq ende sot është kundër dënimit të Mlladiç. Gazetari serb Goran Dimitrijeviç thoshte para pak muajsh se ende sot Vuçiq nuk e konsideron si kriminel lufte Ratko Mlladiç.
Ratko Mlladiç duhet të jetë i kënaqur në vuajtjen e dënimit për këto nderime të mëdha që serbët radikalë e në pushtet ia bëjnë atij në Beograd e në Serbi. Ai po promovohet vazhdimisht jo si kriminel, por si hero i popullit dhe kombit serb. E gjitha po ndodh nën kujdesin e përkushtuar të presidentit dhe qeverisë serbe. Ndërkohë edhe në sytë e Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut. Reagimet janë të papërfillshme. Përveçse disa deputetëve të Këshillit të Evropës, askush tjetër nuk flet për ringjalljen e nacionalizmit serb.
Por ky nacionalizëm ka shkaktuar drama të mëdha gjatë gjithë historisë së re të Ballkanit e sidomos të Ballkanit Perëndimor. Këtë lloj nacionalizmi të maskuar me integrime rajonale alla Open Balkan nuk dëshiron ta shohë me sy as kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe diplomacia shqiptare. Madje konstatime të tilla ai i quan lajthitje. Nëse në Tiranë ndodh diçka që ka të bëjë me Kosovën, Beogradi do të reagojë me forcë, pavarësisht marrëdhënieve shumë të mira me kryeministrin shqiptar. Por nuk ndodh kjo me palën tjetër. Qeveria e Tiranës hesht pothuajse në të gjitha rastet kur ndodhin ngjarje të rënda të shkaktuara nga nacionalizmi serb.
Portreti mural i Ratko Mlladiç në qendër të Beogradit është thjesht një episod i përpjekjeve serbe për destabilizim rajonal, për realizimin e Serbisë së Madhe dhe ndryshimin e hartës politike të Ballkanit. Ka shumë ngjarje të tjera, për të cilat Edi Rama hesht. Ai heshti për kërcënimin e ushtrisë serbe ndaj Kosovës, ndonëse tha se “Çfarë duhej aty ambasadori i Rusisë”! Ai heshti ndaj deklarimeve për mbrojtjen e së ashtuquajturës “bota serbe” po të jetë nevoja edhe me armë! Askush nga qeveritarët e Tiranës nuk i thanë Beogradit se serbët dhe bota serbe nuk kërcënohen nga askush dhe se kërcënimi i botës serbe është shpikje në funksion të ndërhyrjes serbe kundër sovranitetit të vendeve të tjera të rajonit!
Përkundrazi, qeveria e Edi Ramës në çdo rast mbron pozicionet serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Këshilla e tij që “Serbia të kërkojë ndjesë në fund të procesit të dialogut dhe jo në fillim të tij” ishte pozicionim i hapur pro-interesave të Serbisë. Sepse njohja e krimeve kundër njerëzimit që Serbia ka bërë në Kosovë në fund të procesit të dialogut, nuk i sjell asnjë dobi zgjidhjes së drejtë në interes të Kosovës. Përkundrazi sjell dobi dhe forcon pozicionin e Serbisë në këtë dialog. Ndaj kujdeset Edi Rama: – Serbia nuk duhet ta dobësojë pozicionin politik e diplomatik kundrejt Kosovës. Kurse reagimet e Edi Ramës kundër qeverisë dhe presidentes Osmani nuk mungojnë në asnjë rast, aq sa të krijohet përshtypja se ai është bërë palë me presidentin e Serbisë në akuzat kundër Kosovës!
Rruga Press