Lajme

Vuçiq: Njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës është dëshirë e BE-së, jo e Serbisë

Të mërkurën, më 15 qershor, presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës ishte dëshirë e Bashkimit Evropian (BE) por jo e Serbisë.

Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq erdhi si reagim ndaj raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, ku për herë të parë shkruhet shprehimisht pritshmëria e BE-së për “njohje reciproke” mes Serbisë dhe Kosovës.

“Njohja reciproke është dëshira e tyre, është mirë që ata e duan, por ne nuk e duam. Dhe siç thashë – të gjithë kanë punën e tyre, ata kanë të tyren, ne kemi tonën,” tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një eventi të zhvilluar në Beograd.

Lexo më shumë  Analiza e DW: Lëkundjet e Vuçiqit në politikën e jashtme

Vuciq theksoi se nuk e konteston rëndësinë e dokumentit të miratuar nga Parlamenti Evropian, por shprehu besimin se “përbërja e re e parlamentit dhe qeveria e re në Serbi do të konfirmojnë gjithçka që ai ka deklaruar sot”.

Vuçiq tha gjithashtu se korniza e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fokusohet mbi “normalizimin e marrëdhënieve” mes dy vendeve, dhe jo njohjes.

Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) ka miratuar të martën, më 14 qershor raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.

Lexo më shumë  Skandali i radhës: Edi Rama për herë të tretë në publikimet e tij në rrjetet sociale e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë!?

Krahas marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit në vend, raporti i votuar përfshin edhe harmonizimin me politikat e sanksioneve kundër Rusisë, si përcaktues i progresit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Autoriteteve në Beograd u kërkohet të “tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe pozicionet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *