Vuçiq mes Lindjes dhe Perëndimit, Sormaz: Rrethi i tij është ngushtuar dhe s’ka më asnjë çarje ku mund të shpëtojë
Shkrim autorial i Dragan Sormaz për The Geopost
Duke pasur parasysh rënien gjithnjë e më serioze të rejtingut dhe ndjenjën e humbjes së kontrollit mbi proceset politike në vend, Aleksandar Vuçiq po i drejtohet gjithnjë e më shumë kërkimit të mbështetjes nga jashtë për të siguruar qëndrimin e tij në pushtet. Në këtë drejtim, ai ka organizuar një turne që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë, ndërsa në Beograd ka pritur presidentin e Këshillit Evropian dhe pritet së shpejti ardhja e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.
Që në ndalesën e parë të turneut të tij diplomatik, Vuçiq përjetoi një dështim të plotë. Nga takimet e bujshme të paralajmëruara me Donald Trump-in, dy herë brenda tre ditësh, nuk ndodhi asgjë, ndërsa Vuçiqi i përulur u kthye me shpejtësi të rrufeshme në Beograd, duke u justifikuar me gjendje të përkeqësuar shëndetësore. Sipas informacioneve të mia nga radhët e Partisë Republikane, Vuçiq kishte marrë njoftim se presidenti Trump nuk kishte në plan një takim bilateral me të gjatë këtij viti. Meqenëse po përballet me probleme të mëdha brenda vendit, prej muajsh ai po përpiqet të krijojë përshtypjen se gëzon mbështetje si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja. Për këtë arsye, ai ndërmori një aventurë dhe, përmes kontakteve të tij në SHBA, tentoi të sigurojë një qasje te presidenti Trump. Ende nuk dihet saktësisht se si dhe kush e bindi Vuçiqin se mund të marrë pjesë në darkën donatore të republikanëve në resortin e Trump-it, por është e qartë se ata njerëz ishin mjaft bindës – madje edhe për Vuçiqin si politikan me përvojë. Sërish, sipas informacioneve të mia, bëhet fjalë për serbë që merren me biznesin e transportit me kamionë në Amerikë, por edhe me shitjen e armëve serbe në atë treg.
Ata, sipas të gjitha gjasave, kishin ndihmën e disa amerikanëve të afërt me Trumpin, siç janë Grenell, Giuliani dhe Blagojević.Pikërisht këtu qëndron edhe gabimi më i madh i Vuçiqit, si dhe prova se ai nuk është më në gjendje të mendojë në mënyrë racionale dhe të marrë vendime të drejta – nëse ndonjëherë ka qenë i aftë për këtë?! Blagojeviq është një figurë e komprometuar, politikan i dikurshëm që ka vuajtur dënim për korrupsion dhe është tërësisht pa ndikim në SHBA. Giuliani ndodhet nën presion të vazhdueshëm ligjor dhe është në prag tëfalimentimit. Grenell, ndonëse gëzon njëfarë simpatie ngaTrumpi, është një figurë e parëndësishme në mesin e republikanëve, për shkak të rezultateve të dobëta diplomatike dhe faktit që në Kaliforninë e tij, demokratët fitojnë gjithmonë bindshëm. Aktualisht, ai mban pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës së Kenedit në Uashington, një teatër i njohur kulturor.
Vuçiq, në ditën e tretë të qëndrimit në Florida, e kupton se takimii tij me Trumpin nuk do të ndodhë, shpik një histori për gjendje të përkeqësuar shëndetësore dhe ikën për në Beograd! Është simptomatike që tashmë prej dhjetë ditësh nuk i është drejtuar opinionit publik në vend për të shpjeguar këtë fiasko në SHBA, gjë që ka krijuar hapësirë për spekulime të shumta dhe interpretime të ndryshme mbi atë që ndodhi. Ai duhet të përgjigjet vetëm në dy pyetje: kur saktësisht ishte planifikuar takimi me Trumpin – pasi nuk ka asnjë institucion në SHBA apo në Serbi që mund të japë një përgjigje për këtë – dhe pse hipi në avion për një udhëtim gjysmëditor për në Beograd nëse me të vërtetë kishte probleme shëndetësore, për t’u dërguar më pas për trajtim shtëpiak nga VMA (Spitali Ushtarak)?! Pse nuk kërko indihmë mjekësore në një spital aty afër, kur është e sigurt që amerikanët do të kishin bërë çmos që presidenti i Serbisë të merrte ndihmën më të mirë të mundshme dhe të priste atë takim të rëndësishëm me presidentin Trump?! Përgjigjja është e qartë: sepse Trumpi nuk kishte planifikuar fare një takim të tillë dhe, pa gënjeshtrën për sëmundjen, Vuçiq do të ishte publikuar i përulur! Pavarësisht detajeve të sakta të implozionit të dukshëm të politikës amerikane të Vuçiqit, është më se e qartë se basti mbi figurat si Rudy Giuliani, Jared Kushner dhe Richard Grenell ka qenë tërësisht i gabuar, meqë asnjëri prej tyre nuk ka marrë ndonjë pozicion në administratën e re.
As me Trumpin Junior, Vuçiq nuk ka kaluar më mirë, duke pasur parasysh se djali mjaft i anashkaluar i ish-presidentit amerikan nuk është në një pozitë që të mund të lobojë në rrethin e babait tëtij. Zhvillimet e fundit rreth ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd dhe situata e re, e cila tregon qartë se dhëndri i Trumpit, Kushner, nuk do të mund të ndërtojë hotel në atë lokacion, dëshmojnë se egoja e Vuçiqit është goditur rëndë dhe se ai po përpiqet në një formë apo tjetër t’i hakmerret Trumpit! Shkëlqyeshëm — le të vazhdojë kështu; egoja është mëkati i preferuar i djallit dhe do t’i ndihmojë qytetarëve të Serbisë që ta heqin qafe më shpejt!/The Geopost/

