Lajme

Vuçiçi mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare pasi Kosova dorëzoi aplikimin në Këshillin e Evropës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thirrur një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare më 13 maj, pas vendimit të Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Më 12 maj, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar fizikisht aplikacionin e Kosovës në këtë Këshill.

“Me këtë veprim, Prishtina ka shkelur edhe një marrëveshje që ka nënshkruar, e ajo është Marrëveshja e Uashingtonit. Ata e kanë shkelur brutalisht atë”, ka thënë Vuçiq.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium – po ashtu njëvjeçar – mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar, por Departamenti amerikan i Shtetit ka inkurajuar më herët Kosovën dhe Serbinë që t’i vazhdojnë ato për të mundësuar përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne nuk duhet të përfshihemi në urrejtje dhe të hyjmë në psikozë konflikti, por të ofrojmë përgjigje të fuqishme në mënyrë të përgjegjshme, racionale dhe serioze”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se Serbia do të bëjë më të mirën për të mbrojtur shtetin.

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Lexo më shumë  KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës përfundojnë stërvitjen “Golden Sabre 2024”

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *