Vuçiç: Nuk do ta zbatojmë pjesën e marrëveshjes lidhur me anëtarësimin e Kosovës në OKB
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçi, tha se qëndrimi i tij për sa i përket marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën nuk ka ndryshuar “as edhe një pikë” dhe ka ripërsëritur se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë”, deklaroi Vuçiç më 21 mars pasi u takua në Beograd me kryediplomatin e Italisë, Antonio Tajani.
Në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.
Edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk nënshkruan asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësuesit evropianë thanë se presin që palët të zbatojnë gjithçka për të cilat u pajtuan liderët.
Kosova dhe Serbia u pajtuan se nuk do të bllokojnë zbatimin e asnjë neni të marrëveshjes.
Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Kosova, në anën tjetër, është pajtuar që të punojë në ofrimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, bazuar në marrëveshjet paraprake të arritura në dialog.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 21 mars se faktorët ndërkombëtarë duhet ta “dënojnë” Serbinë për mosnënshkrimin e marrëveshjes në Ohër.
“Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, me qenë se Marrëveshja Bazë është njohje de facto. Pra, unë besoj se kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë partnerët, aleatët, miqtë tanë të vendeve demokratike në Perëndim, dhe jo vetëm, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë, të përkushtuar, e kreativ si asnjëherë”, deklaroi Kurti.
Marrëveshja drejt normalizimit nuk përmend në mënyrë eksplicite njohjen e ndërsjellë, por aty thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
Në Ohër, palët u pajtuan që marrëveshja të bëhet pjesë integrale e procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë.
Ai përsëriti se lufta në Ukrainë, “e ka bërë pozicionin e Serbisë disa herë më të vështirë”.
Edhe pse Serbia ka përkrahur disa rezoluta të OKB-së që e dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, Serbia është një prej pak shteteve evropiane që kanë refuzuar t’i bashkohen politikës së BE-së dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë./REL
Rruga Press