Vrasjet makabre janë “efekti anësor” i eksperimentit të një qeverie kriminale
Vrasja e 8 vjeçarit ishte tronditëse për të gjithë shqiptarët, por ajo çfarë bie në sy është fakti se autori i krimit kishte histori të mëhershme në lidhje me krimin.
Një prej banorëve tregon se ai kishte tentuar të përdhunonte gruan e tij, edhe pse e kishte denocuar në polici asnjë masë nuk ishte marrë.
Deputeti i PS-së Taulant Balla në një pronocim për media ka folur për ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në Fier. Fjalët e tij e bëjnë akoma më të rëndë dhimbjen kur dëgjon nga vetë deputeti që ky vrasës ishte me probleme me ligjin dhe madje Bashkia e Fierit ishte në djeni të kësaj.
“Megjithëse, unë jam informuar se bashkia kishte bërë plane për riintegrimin e këtij personi, por nuk shkoi ashtu sic duhet.” tha Balla.
Cilët kanë qenë planet për riintegrimin e tij dhe pse nuk ishte marrë asnjë masë deri më tani?
Nuk është hera e parë që në Shqipëri persona të tillë kanë përfunduar duke vrarë, përdhunuar vajza dhe djem. Persona të cilët kanë një të shkruar kriminale lihen të lirë dhe askush nuk kontrollon veprimtarinë e tyre. Edhe pas dënimit këta persona kanë vazhduar të kryejnë vepra të ngjajshme me të mëherëshmet, por drejtësi nuk është vendosur.
Policia në Shqipëri është vendosur në shërbim të kriminelëve, pushtetit, por jo të qytetarëve të saj. Shohim shumë policë nëpër rrugë, por shumë janë edhe rastet e tilla.
Shteti e përdor policinë për trysni ndaj qytetarëve të zakonshëm dhe jo në shërbim apo për mbrojtjen e tyre.
Policët e qyteteve të vogla i shquajmë shpesh për nga braku i madh dhe me një uniformë që nuk i përshtatet formës trupore. I dallojmë kur i shohim duke pirë raki dhe duke ngrënë qofte në orar pune. Kur një qytetar bën një denoncim në rajonin e qytetit të vet, ai përfundon i tallur apo i neglizhuar dhe është vetë policia e cila në formën e thashethemit e përhap hallin që ky qytetar ka pasur.
Qytetari pret që policia ta mbrojë, jo ta bullizojë.
Një djalë 8 vjeçar vritet dhe groposet nga një person për të cilin dihej tashmë se kishte probleme dhe askush i autorizuar nuk merrej me të. Madje mund të kenë thënë “po ec se mirë është, nuk i gjen gjë nga ai”. Epo ja që një vogëlush nuk është më, dëmi u bë dhe Shqipëria mbetet një ndër vendet me kriminalitetin më të lartë, si në aktualitet ashtu edhe në potencial.
© Rruga Press