Editorial

“Vrasje me porosi”, “e porositur” prej pushtetit dhe e ekzekutuar prej një vrasësi ordiner

Editorial nga Rruga Press

Vrasja e djalit të vogël në një fshat të Fierit ishte tronditëse. Në të njëjtën kohë shkaktoi zemërim të përgjithshëm, në popull, në qeveri dhe tek elita aktuale e spektaklit.

Me të drejtë, vrasje makabre që meriton dënimin maksimal. Kështu u shpreh edhe kryeministri Rama. Nga ana tjetër, zemërata në popull shkoi deri aty sa u kërkua edhe dënimi me vdekje, pavarësisht se ligjet e Republikës së Shqipërisë nuk e mbulojnë një akt të tillë si legal. Këtë dënim kërkuan edhe disa persona që i përkasën elitës së pop-starëve.

Nuk ka asnjë problem kur mbas një krimi makabër reagimi i përgjithshëm strehohet tek eksesi psikologjik i kërkimit të dënimit me vdekje. Çështa është se pikërisht kjo gjë nuk është hiç problemi i vërtetë.

Kërkimi i dënimit me vdekje është, në të njëjtën kohë, vendosja e distancës maksimale mes personit që e kërkon vdekjen e kriminelit dhe kriminelit që shkaktoi vdekje. Është ta shpiesh tjetrin në skaj, deri në asgjësim jashtë horizontit, brenda të cilit gjendemi edhe vetë.

Nëse duam të kuptojmë dhe mësojmë diçka nga ky makabritet që ndodhi bëjmë mirë ta përcaktojmë natyrën e fëlliqësisë që mban ky unifikim i të gjithëve kundër vrasësit. Ka mundësi të zbulojmë se ky unifikim është pikërisht ai që i bën të mundura këto krime në mënyrë strukturore, strukturë që garanton se krime të tilla do të vazhdojnë gjithnjë nëse nuk ndryshon diçka.

Duhet të rikujtojmë se vrasësi kishte precedent penal dhe pak vite të bëra burg, i dënuar për dhunim dhe tentativë përdhunimi ndaj një vajze të re. Poashtu, ai ishte denoncuar edhe për tentativë përdhunimi në një rast të dytë. Policia nuk mori asnjë masë.

Duhet të rikujtojmë gjithashtu, se ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pak ditë më parë u shpërblye me postin më të ri, atë të zv. ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës.

E si shpërblim, për këto afera të ndyra të pushtetit, populli jonë merr pikërisht këto vrasje makabre, në mënyrë të përsëritur.

Sot, Ardi Veliu dhe shefi i tij Rama, janë fajtorët që struktura policore e shtetit është e rrënuar dhe pa asnjë fuqi reagimi apo parandalimi të këtyre rasteve.

Në të njëjtën kohë, kryeministri Rama duhet t’i sqarojë opinionit publik se si ka mundësi që mbas një “reformimi” të Policisë së Shtetit dhe mbas një vettingu në gjyqësor, policia dhe drejtësia ia lë të hapur rrugën cilitdo krimineli ordiner që të bëjë gjëmën e radhës.

Por, që kjo fuqi parandaluese të zotërohej, policia dhe drejtësia do të duhej të ekzistonin fillimisht, strukturalisht dhe efektivisht.

Krimi i vërtetë është çka qeveria shqiptare i ka bërë institucioneve, duke i çuar çdoherë e më shumë drejt kriminalizimit dhe korrupsionit. Vrasje si ajo e djeshmja janë vetëm efektet e këtij krimi të parë, të një qeverie që e lufton me sa fuqi që ka ekzistencën e shtetit të saj si të drejtë.

Nga ana tjetër, ashtu në mënyrë krejt të paskrupullt, pamë disa pop-starë të pagdhendur, por të lidhur fort me pushtetin, që bërtitën me çjerrje kundër vrasësit.

E çfarë është një pop-star që ka mbrojtur qeverinë sa herë që ajo ka pasur nevojë, e në kohën e mbetur i këndon armëve, trafikimit dhe përdorimit të gruas si copë mishi për seks dhe dekor? Është puna e qeverisë shqiptare e bërë këngë dhe afekt i përbrendësueshëm aty-për-aty.

Nuk ka gjë më të shëmtuar se kur bashkohen kryeministri Rama dhe pop-stari i këtij lloji, kundër një krimineli të cilin e prodhuan vetë.

Po nuk ka gjë më të gabuar dhe inkriminuese se kur kësaj dysheje i bashkohet populli.

Të kërkojmë dënimin maksimal për vrasësin, por ama, të kërkojmë që kjo vrasje të dënohet duke i vënë përballë nesh ata që e mundësojnë një shoqër ku mund të prodhohen krime të tilla.

Është pikërisht kjo qeveri dhe kjo elitë që na e shprehë çdo ditë, me vepër e fjalë, se krimi dhe padrejtësia është i vetmi realitet; ti vetëm sa mund të zgjedhësh nëse brenda tij do të jesh krimineli apo viktima.

Vrasja e Mateos është “vrasje me porosi”, “e porositur” prej pushtetit dhe e ekzekutuar prej një vrasësi ordiner.

Të distancohemi nga kjo devizë e ulët, e të rishpikim një të re e cila i vë nën të njëjtën akuzë, vrasësin dhe atë që e mundëson atë, ku ky i dyti të marrë vërtetë dënimin maksimal.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *