KryesoreLajme

Vrasja e Martin Canit në Tiranë, prindërit: “Tik Tok-u ishte një pretekst politik”

Pas ngjarjes së rëndë në Pirg të Maliqit, ku pas një sherri në lokal mbeti i vrarë me thikë nxënësi 14-vjeçar Erald Xhejo, ka ardhur edhe reagimi i familjes së Martin Canit, adoleshentit po 14 vjeç, i cili humbi jetën nëntorin e kaluar pas një sulmi me thikë jashtë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Familja Cani ngre pikëpyetje mbi shkakun e këtyre tragjedive, duke hedhur poshtë narrativën e qeverisë që lidh krimet mes të miturve me rrjetet sociale. Sipas tyre, problemet që çojnë në humbjen e jetëve të fëmijëve janë shumë më të thella: mungesa e sigurisë në shkolla, dështimi i institucioneve për të marrë masa konkrete, mungesa e bashkëpunimit mes familjeve dhe komunitetit, si dhe dobësitë e sistemit shëndetësor.

Në një deklaratë për shtyp, ata theksojnë me ironi se edhe pas mbylljes së TikTok, një tjetër i mitur u vra në Korçë, duke vënë në dyshim logjikën e masave qeveritare. “Kush do fajësohet tani, Snapchat-i apo Instagram-i?”, shprehen ata duke shtuar: “Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet.”

Lexo më shumë  Presidentja Osmani udhëton zyrtarisht për në Selinë e Shenjtë, pritet në audiencë nga Papa Leo XIV

Familja Cani kërkon reforma reale dhe të prekshme, jo “kozmetikë” për opinionin publik, ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes Xhejo dhe u bashkohet zërit për drejtësi, që tragjedi të tilla të mos përsëriten.

Deklarata e plotë e familjes Cani

“Megjithë mbylljen e rrjetit social TikTok nga qeveria, një i mitur tjetër u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq. Kjo tragjedi e re tregon qartë se mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik. Kush e ka radhën që të fajësohet tani për këtë krim të rëndë? Snapchat apo Instagram?

Ne kërkojmë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete, jo thjesht reforma kozmetike për opinion publik. Kërkojmë veprime të dukshme dhe efektive për përmirësimin e sigurisë në shkolla, forcimin e bashkëpunimit me familjet, angazhimin e komunitetit dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Vetëm me masa të tilla mund të parandalohen tragjedi të tjera dhe të shpëtohen jetë fëmijësh.

Lexo më shumë  Antimafia Italiane jep alarmin: Mafia shqiptare tani ndërvepron direkt me kartelet e mëdha të Amerikës Latine

Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet.

Në këtë moment dhimbjeje të madhe, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për nënën dhe familjen e të miturit të vrarë në Maliq. E dimë se çfarë do të thotë të humbasësh dritën e jetës, dhe ndajmë me ta dhimbjen e pamasë. Zëri ynë bashkohet me të tyren në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta, që asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj.

Rruga Press

YouTube player