Votimi Rashiqit dhe jo i kandidatit të Listës Serbe për nënkryetar Kuvendi, gur prove për opozitën shqiptare në Kosovë
Debati mbi zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb është shndërruar në një gur prove për funksionimin e institucioneve dhe për pjekurinë politike të partive parlamentare. Pas tre tentativave të dështuara për të zgjedhur kandidatin e propozuar nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, është bërë e qartë se përfaqësimi i komunitetit serb në institucione nuk mund të vijë nga struktura që dirigjohen nga Beogradi dhe që janë komprometuar me akte kundër shtetit të Kosovës.
Tre dështime rresht të Listës Serbe
Sllavko Simiq, i propozuar nga Lista Serbe, mori vetëm 10 vota pro në secilin nga tre votimet e mbajtura. Në raundin e parë, 55 deputetë të VV-së dhe komuniteteve joshumicë joserbë votuan kundër, ndërsa 23 deputetë të PDK-së abstenuan, e LDK-ja nuk mori pjesë fare në votim. E njëjta shifër e votave u përsërit edhe në raundin e dytë dhe të tretë, duke konfirmuar se deputetët e VV-së dhe komuniteteve joshumicë joserbë nuk e shohin Listën Serbe si përfaqësuese të ligjshme të komunitetit serb në Kosovë.
Pas përpjekjes së katërt të Igor Simiq për të rikandiduar të njëjtin emër, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ndërhyri duke e ndaluar procedurën, me arsyetimin se sipas praktikës më të re kushtetuese, emri i njëjtë mund të propozohet vetëm tri herë. Për këtë arsye, propozimi i komunitetit serb për nënkryetar pritet të zgjidhet me short.
Rëndësia e Nenad Rashiqit
Në këtë situatë, alternativa është Nenad Rashiq, deputeti i vetëm serb që nuk i takon Listës Serbe. Rashiq është politikan i cili ka pranuar hapur sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës, duke refuzuar të veprojë nën urdhra të Beogradit.
Për dallim nga Lista Serbe, e cila ka qenë e lidhur me:
- sulmin terrorist në Banjskë (24 shtator 2023),
- shantazhin ndaj qytetarëve serbë për të bojkotuar zgjedhjet,
- bllokadat e përsëritura institucionale,
- dhe struktura ilegale në veri,
Nenad Rashiq përfaqëson një model të integrimit politik brenda institucioneve të Kosovës. Zgjedhja e tij do të ishte një hap i madh përpara në garantimin e pluralizmit politik në komunitetin serb dhe në fuqizimin e rendit kushtetues.
Një provë për opozitën shqiptare
Ky proces është gjithashtu një gur prove për PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, të cilat kanë abstenuar në disa nga votimet në KQZ dhe në Kuvend. Votimi për nënkryetarin e Kuvendit është test për të parë nëse këto parti do të rreshtohen me:
- serbët që e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe respektojnë Kushtetutën, apo
- me serbët e Listës Serbe, të cilët historikisht kanë qenë pjesë e skenarëve të Beogradit dhe të akteve terroriste kundër Kosovës.
Zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb nuk është thjesht një procedurë teknike – është një vendim politik me pasoja të drejtpërdrejta për sovranitetin e Kosovës. Mbështetja e Nenad Rashiqit do të tregonte se institucionet e Kosovës përfaqësojnë realisht qytetarët serbë që jetojnë në vend, e jo strukturat që i shërbejnë Beogradit.
Në të kundërt, çdo kompromis me Listën Serbe do të ishte legalizim i një subjekti që ka dëshmuar në vazhdimësi sjellje destruktive dhe anti-kushtetuese.
Rruga Press

