“Vota e Arifit”/ Gjykata Kushtetuese vendos nesër për fatin e qeverisë në Kosovë
Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë ditën e nesërme seancën dëgjimore për kushtetuetshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi për emërimin e qeverisë Hoti.
Seanca pritet të nisë nesër (02 dhjetor 2020) dhe do të kryhet nëpërmjet një takimi online, për shkak të situatës pandemike.
Lëvizja Vetëvendosje do të diskutojë nesër në lidhje me dyshimet për rregullsinë e votimit të qeverisë aktuale kosovare. Sakaq palët i janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrje dhe nuk kanë kërkuar shtyrjen e seacës.
“Në seancën dëgjimore publike e cila do të mbahet më 2 dhjetor 2020, me fillim në ora 10:00, do të marrin pjesë të gjitha palët e interesit të përfshira në rast. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore publike do të mbahet nëpërmjet video-konferencës (online) dhe tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj”, thotë zyra për median e Gjykatës Kushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje kontestoi në muajin qershor votën e deputetit Etem Arifi, i cili është aktualisht i arrestuar. Partia e Albin Kurtit është shprehur e bindur se ky akgjykim do të jenë në favor të VV, ku sipas tyre anullimi i votës së Arifit do të sjellë shkarkimin e Avdullah Hotit nga posti i kryeministrit të Kosovës.
Në këtë rast do të jetë në ngarkim të presidentit të fillojë procedurat, për t’ia dhënë mandatin cilësdo parti, apo koalicion që i konfirmon se i kanë 61 vota në Kuvendin e Kosovës.
Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së qeverisë Hoti. Për Vetëvendosjen vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion.