Von der Leyen zbulon buxhetin e ri të BE-së prej 2 trilionë eurosh: Më fleksibël për krizat, më ambicioz për të ardhmen
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar zyrtarisht propozimin e shumëpritur për buxhetin e ri afatgjatë të Bashkimit Evropian, me një vlerë rekord prej 2 trilionë euro për periudhën 2028–2034.
Buxheti i ri përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me 1.21 trilionë euro të planifikuar në vitin 2020 dhe synon të jetë më fleksibël, strategjik dhe i gatshëm për të përballuar krizat e paparashikuara, nga pandemitë tek krizat gjeopolitike dhe sfidat klimatike.
“Është një buxhet për një epokë të re që përputhet me ambicien e Evropës,” tha von der Leyen, duke theksuar se paketa financiare do të kushtëzohet nga respektimi i sundimit të ligjit dhe do të forcojë pavarësinë strategjike të bllokut.
Struktura e re bazohet në tre shtylla kryesore:
• 865 miliardë euro për partneritete kombëtare dhe rajonale (duke përfshirë politikat bujqësore, të kohezionit dhe sociale),
• 410 miliardë euro për konkurrueshmërinë (hulumtim, inovacion dhe teknologji),
• 200 miliardë euro për veprim të jashtëm, përfshirë 100 miliardë euro për rindërtimin e Ukrainës.
Von der Leyen propozon gjithashtu taksa të reja të përbashkëta në nivel BE-je, përfshirë mbi mbeturinat elektrike, duhanin dhe fitimet korporative, për të lejuar Brukselin të mbledhë të ardhura të drejtpërdrejta dhe për të shlyer borxhet nga fondi i rimëkëmbjes së COVID-19.
Megjithëse buxheti i ri shihet si më modern dhe i përshtatur për realitetet globale, disa nga propozimet — si bashkimi i politikave bujqësore dhe atyre të kohezionit, që tradicionalisht kanë qenë të ndara — pritet të nxisin kundërshtime të forta nga vendet jugore dhe lindore, të cilat varen më shumë nga këto fonde.
Ndërkohë, vendet veriore dhe perëndimore pritet të mbështesin riorientimin drejt fushave më moderne si klima, siguria dhe teknologjia, duke u bazuar edhe në rekomandimet e raportit të Mario Draghit për forcimin e konkurrueshmërisë së BE-së përballë SHBA-së dhe Kinës.
Prezantimi i buxhetit shënon nisjen e një procesi të gjatë negociatash mes shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian, që parashikohet i ndërlikuar dhe me tensione, teksa çdo vend do të kërkojë të mbrojë interesat e veta financiare.
Në thelb, propozimi synon ta bëjë BE-në më të gatshme për t’u përballur me të papriturat dhe më të aftë për të investuar në të ardhmen, në një kohë kur bota po përjeton tronditje të mëdha ekonomike, politike dhe klimatike.
Rruga Press

