Bota

Von Cramon: Zgjedhjet në Serbi janë manipuluar, kurrë nuk kam parë një gjë të tillë

Thirrja për autoritetet kompetente shtetërore të Serbisë që në mënyrë transparente të hetojnë të gjitha raportet e besueshme për parregullsi në zgjedhjet e dhjetorit u dëgjuan disa herë gjatë ditës së sotme nga foltorja e Parlamentit Evropian.

Ky i fundit ka diskutuar për zgjedhjet e fundit në shtetin serb, ku vëzhguesit ndërkombëtarë kanë hasur në parregullsi të shumta ndërsa kritika kishin edhe deputetët.

Më e zëshmja duket se ishte eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila tha se kurrë nuk ishte përballur në karrierën e saj me zgjedhjet sikurse në shtetin serb.

“Që kur u bëra vëzhguese e zgjedhjeve 20 vjet më parë, nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Le të jemi të qartë: këto zgjedhje janë të manipuluara. Janë të vjedhura. Opozita e bashkuar mund të kishte fituar në Beograd, nëse mijëra nuk do të ishin sjellë, riregjistruar ose nën presion për të votuar për SNS-in. Ne kërkojmë një hetim të paanshëm ndërkombëtar së bashku me OSBE-në siç ishte rasti në Serbi pas zgjedhjeve të vitit 1996. Është në interesin tonë të përbashkët të shohim një Serbi demokratike evropiane”, deklaroi ajo.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Ndërkohë, Komisioneri Evropian për Drejtësi, Didier Reynders tha se këto zgjedhje ishin shumë të rëndësishme dhe se ato u mbajtën nën vëzhgimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Konkluzioni i raportit është se procesi zgjedhor duhet të reformohet, tha ai.

“Kur flasim për procesin zgjedhor të një shteti demokratik, ai duhet të përmirësohet për të folur për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Ne presim që të gjitha raportet e besueshme të parregullsive të trajtohen në mënyrë transparente nga forcat vendore të zbatimit të ligjit. Kjo përfshin pretendimet për parregullsi në zgjedhjet në Beograd dhe komunitete të tjera lokale. Këtu përfshihen rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme dhe ne presim që Serbia t’i zbatojë ato rekomandime sa më shpejt të jetë e mundur”, tha eurodeputeti.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Ai theksoi rëndësinë e protestave paqësore, si dhe se dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk është e pranueshme, duke shtuar se PE do të monitorojë nga afër protestat pas zgjedhjeve.

Ndryshe, partia në pushtet e Serbisë, SNS, e cila dikur udhëhiqej nga presidenti Aleksandar Vuçiq ka fituar zgjedhjet lokale, rajonale dhe parlamentare.

Megjithatë ato u kontestuan nga opozita serbe, e cila ka filluar sërish protestat pas një pushimi dyjavor shkaku i festave të fundvitit.

Parlamenti Evropian pritet të miratojë një rezolutë rreth zgjedhjeve në shtetin serb, e cili pritet të votohet në muajin shkurt.

Rruga Press

YouTube player