Von Cramon reagon për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka reaguar për pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Përmes një postimi në Twitter duke rishpërndarë një postim të aktivistes për të drejtat e njeriut, Flora Feratit, e cila tregon trendin e uljes së votuesve në disa fshatra të Medvegjës, Von Cramon ka thënë se kjo po ndodhë në një rajon të populluar kryesisht me shqiptarë në jug të Serbisë.
“#Depasivizimi i shtetësisë serbe vazhdon siç e tregon qartë edhe kjo tabelë. Kjo ndodh në një rajon të populluar kryesisht nga shqiptarët në jug të #Serbisë. Si dhe pse qytetarët e zakonshëm mund t’u hiqen të drejtat e tyre themelore?”, ka pyetur ajo.
Në tabelën e paraqitur bëhet e ditur se në fshatin Gjylekreshtë në vitin 2012 ishin 379 votues të regjistruar ndërkaq në vitin 2019 ishin 163 votues. Në Kapit në vitin 2012 ishin 293 votues e në vitin 2019 ishin 123, në Tupallë në vitin 2012 ishin 943 e në vitin 2019 ishin 407. Në Sijarinë ishin 603 votues në 2012-ën ndërkaq 177 në vitin 2019. Në Sfricë ishin 807 votues në 2012-ën dhe 232 në 2019-ën, në Rama Banjë ishin 433 votues në vitin 2012 ndërkaq 255 në vitin 2019. Në Stara Banjë ishin 113 në vitin 2012 ndërkaq 41 në vitin 2019 dhe në Gërbac ishin 446 votues në vitin 2012 ndërkaq 133 në vitin 2019.
#Depassivisation of Serbian citizenship continues as this table clearly shows. This takes place in a predominantly Albanian-populated region in the South of #Serbia. How and why can ordinary citizens get ripped off their basic rights? @coe @OSCE_Serbia https://t.co/QYqUut3d2Y
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) December 20, 2021
Rruga Press