KryesoreLajme

VOA: Shqipëria nuk u përgjigjet kritikave të UNESCO-s për shkatërrimin e Butrintit

Shqipëria publikoi të hënën raportin për Parkun Kombëtar të Butrintit, që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, në Indi, në korrik të këtij viti.

Raporti prej 170 faqesh i Ministrisë shqiptare të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit anashkalon përgjigjet për disa nga kritikat e forta të misionit të UNESCO – ICOMOS.

Në raportin e monitorimit, që iu dorëzua autoriteteve shqiptare në shtator të vitit 2023, misioni i UNESCO-s shprehte “shqetësim të thellë” për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit nga qeveria shqiptare me heqjen e 600 hektarëve pa dijeninë dhe miratimin e organizatës.

Por sipas dokumenteve zyrtare, të para nga Zëri i Amerikës, nga Parku Kombëtar i Butrintit janë hequr 802 hektarë dhe sipërfaqja nga 9424 hektarë që ishte, tani është 8622 hektarë.

Vendimi i qeverisë shqiptare në janar të vitit 2022 për kufijtë e rinj të Butrintit dhe vendimi i një muaji më vonë për ndërtimin e një resorti në pjesën e hequr nga Parku Kombëtar nuk citohen në asnjë rresht të raportit të qeverisë shqiptare.

Po ashtu, raporti i palës shqiptare nuk u jep përgjigje konkrete kritikave të UNESCO-s edhe për modelin e ri të menaxhimit të qytetit antik të Butrinit, të njohur si zona A-3, përmes një organizate jofitimprurëse (Fondacioni) të krijuar nga Ministria shqiptare e Kulturës në partneritet me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF).

Misioni i UNESCO-s thotë në raportin e vitit 2023, se menaxhimi vetëm i zonës A-3 me rreth 614,3 hektarë, nuk përmbush kërkesat e UNESCO-s për një menaxhim të integruar të Butrintit, që kombinon arkeologjinë, monumentet dhe pjesën natyrore.

Misioni i UNESCO-s ka kërkuar gjithashtu që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin e “shtetit palë” për Butrintin, ku organizata kërkon përgjegjësitë shtetërore në përputhje me standartet botërore të vendosura nga UNESCO.

“Marrëveshjet mes Ministrisë se Kulturës, AADF-se dhe Fondacioni i ri nuk japin një zgjidhje të përshtatshme, pasi nuk janë përgjegjëse për menaxhimin e pasurisë së Trashëgimisë Botërore si të tillë”, thotë misioni.

Pala shqiptare i përgjigjet UNESCO-s se Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit, në koordinim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të përshtasin Planin e Veprimit dhe do të punojnë drejt një marrëveshjeje ku Ministria e Kulturës të ketë autoritetin tërësor mbikëqyrës për Butrintin dhe përgjegjësinë ndaj Komitetit të Trashëgimisë Botërore.

Lexo më shumë  Konjufca: Dhuna ndaj grave nuk luftohet vetëm me institucione

Në realitet Ministria e Kulturës nuk ka hapësirë për një marëveshje të re, pasi marrëveshja aktuale për krijimin e Fondacionit të ri ka një afat 10 vjeçar. Gjithashtu, Ministria e Kulturës nuk e ka shumicën në Bordin e Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit si organi më i lartë vendimarrës.

Bordi i Fondacionit përbëhet nga pesë anëtarë, të kryesuar nga ministri përgjegjës për kulturën, dy përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, drejtori i Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe një ekspert ndërkombëtar.

Raporti i palës shqiptare duket se nuk plotëson edhe disa nga kërkesat që Qendra Botërore e Trashëgimisë u ka drejtuar autoriteteve shqiptare përmes një letre dërguar ambasadores shqiptare në UNESCO, Besiana Kadare, tetorin e vitit të shkuar.

Ndërsa UNESCO ka kërkuar “informimin nga Shqipëria mbi masat për mbrojtjen dhe menaxhimin e integruar të pronës dhe zonës së saj tampon”, autoritetet shqiptare duket se nuk e kanë ende gati këtë plan për t’ia dorëzuar Komitetit të Trashëgimisë Botërore.

“Puna e nisur po ndiqet me takime teknike që synojnë përgatitjen e një plani të detajuar veprimi afatshkurtër dhe afatgjatë, për zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-ICOMOS”, thuhet në raportin e palës shqiptare.

Një tjetër kërkesë e UNESCO-s lidhet me “sqarime të detajuara dhe një hartë të qartë dhe të saktë që tregon kufijtë e pronës dhe zonës tampon, siç është miratuar nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në 2007”.

Kjo hartë ende nuk është përgatitur nga autoritetet shqiptare dhe nuk është përfshirë në raport.

“Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit do të përgatisë një hartë të detajuar dhe të saktë, në bashkëpunim dhe nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, thuhet në raport.

Por kjo bie ndesh me përgjegjësitë e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, i cili sipas ligjit të miratuar nga parlamenti shqiptar, ka në administrim dhe mandat për të vepruar vetëm në zonën A-3 të Parkut me rreth 614,3 hektarë dhe jo për gjithë Parkun Kombëtar të Butrintit që aktualish është 8622 hektarë.

Zhvillimet me kufijtë e Parkut Kombëtar të Butrintit janë parë me tone mjaft kritike nga Misioni i fundit i UNESCO-s, pasi ato janë në kundërshtim edhe me rekomandimet e Planit të Menaxhimit të Butrintit që vetë qeveria shqipare kishte miratuar në vitin 2020.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

Plani i menaxhimit propozonte vetëm një rishikim kufijsh prej 50 deri në 150 hektarë që përbënin zonën ndërtimore të Ksamilit dhe krijimin e një brezi të gjelbër për të frenuar ndërtimet e mëtejshme, por jo heqjen e 802 hektarëve nga Parku Kombëtar.

Zëri i Amerikës verifikoi në sistemin shtetëror shqiptar të gjeohapësirës (ASIG) hartën aktuale të Parkut Kombëtar të Butrintit ku pasqyrohet ndryshimi i kufijve dhe ku tani është jashtë zonës së mbrojtur zona bregdetare nga kanali i Çukës, në pjesën fundore bregdetare të Ksamilit.

Raporti i palës shqiptare për Komitetin e Trashëgimisë Botërore për Butrintin nuk përmend asnjë fakt për zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë lidhur me Butrintin.

Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kanë kërkuar kësaj gjykate që ta shfuqizojë si anti-kushtetues ligjin mbi administrimin e Parku Kombëtar të Butrintit.

Përfaqësuesit e qeverisë shqiptare në seancën plenare të nëntorit të viti të shkuar në Gjykatën Kushtetuese nuk e paraqitën Raportin e UNESCO-s, megjithëse prej shtatorit të vitit të shkuar raporti i ishte dorëzuar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, por nuk ishte bërë publik nga UNESCO pasi pala shqiptare nuk kishte dhënë pëlqimin.

Gjykata Kushtetuese, në një gjest të pazakontë, në janar të këtij viti, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s dhe rihapi seancën plenare për Butrintin.

Ministri i ri i Kulturës dhe Ekonomisë Blendi Gonxhe nuk e ka firmosur kalimin e Parkut në administrimin e Fondacionit të ri, që sipas ligjit të miratuar në Parlament duhet të bëhej më 14 shkurt të këtij viti.

Zoti Gonxhe, përmes një statusi në rrjetet sociale u shpreh se “donte të siguronte opinionin publik për vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”.

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, që ka udhëhequr nismën e deputetëve opozitarë në Gjykatën Kushtetuese, ka deklaruar se beteja për Butrintin është një betejë për identitetin, historinë dhe trashëgiminë shqiptare./VOA

Rruga Press

YouTube player