Vlorë/ Përmbytjet lënë pas dëme të mëdha, mbi 300 hektarë tokë të shkatërruara dhe bagëti të ngordhura
Lumi Vjosa ka rënë në nivel minimal, duke bërë që tregu i gjësë së gjallë poshtë urës së Mifolit të dalë plotësisht në sipërfaqe, pasi masa e ujit është larguar. Falë përmirësimit të kushteve atmosferike, është bërë i mundur shkarkimi i ujërave drejt detit, ndërsa situata është kthyer pothuajse në normalitet edhe në fshatin Bishan.
Megjithatë, përmbytjet kanë lënë pas dëme të konsiderueshme. Në të gjithë qarkun raportohen mbi 300 hektarë tokë bujqësore të përmbytura, ku uji ka shkatërruar sera me të mbjella, vreshtari, ullishte dhe dru frutorë. Gjithashtu, raportohen bagëti të ngordhura dhe dëme në banesa, duke rënduar ndjeshëm situatën për shumë familje.
Autoritetet pritet të kryejnë një vlerësim të detajuar të bilancit të dëmeve në të gjithë fshatrat e Njësisë Administrative Novoselë dhe në fshatin Vajzë. Pas këtij procesi do të përcaktohet fondi që do të përdoret për dëmshpërblimin e familjeve të prekura në këto ditë të vështira.
Ndërkohë, është liruar për qarkullim nënkalimi i autostradës Levan–Vlorë. Policia ka hequr shiritin e verdhë që ndalonte kalimin në zonën e rrezikut, ndërsa edhe ura e vjetër mbi lumin Vjosa, e cila ishte përmbytur, tashmë është plotësisht e aksesueshme.
Sipas parashikimit të motit për ditën e sotme, në qarkun Vlorë priten reshje shiu intensive, çka mban në gatishmëri strukturat e emergjencës për çdo zhvillim të mundshëm të situatës.
Rruga Press

