Vjen arrestimi i tretë kundër bandave kriminale në veri/ Ministri Sveçla: Republika nuk zmbrapset përballë milicisë fashiste
Një tjetër serb i dyshuar për sulme ndaj gazetarëve në veri, është arrestuar të shtunën, ka konfirmuar Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se i arrestuari është Dalibor Spasiç.
“Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës. Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dinë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, ka shkruar Sveçla në Facebook të shtunën pasdite.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se Spasiç kishte sulmuar gazetarët më 31 maj.
“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar, i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Jarinje dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim të Policisë.
Një ditë më parë, në veri u arrestua edhe Nemanja Vllaskoviq, i dyshuar po ashtu për sulme ndaj gazetarëve.
Ditë më parë, në veri Policia e Kosovës e arrestoi edhe Milun Milenkoviq – Llunen, për të cilin autoritetet e vendit kanë thënë se ishte ndër organizatorët e sulmeve dhe protestave të dhunshme në veri, që nga fundi i majit, por edhe i organizimeve të mëhershme në veri.
Rruga Press