Viziton disa vende në Kosovë, gazetarja serbe: S’ka vend për frikë
Gazetarja nga Serbia, Maria Çankoviq, ka përgënjeshtruar të gjitha raportimet në Serbi për gjendje alarmante në Kosovë. “S’ka vend për frikë”, ka thënë ajo, pasi që ka vizituar disa qytete në Kosovë.
Gazetarja Çankoviq, në një bisedë për “Nova” të Serbisë, ka thënë se me një grup serbësh, ka vizituar Pejën, Prizrenin, Rahovecin dhe Hoqën e Madhe. Ajo ka deklaruar se ka marrë përshtypje shumë të mira dhe është emocionuar nga udhëtimi nëpër Kosovë.
“Kemi qenë në Patriarkanën e Pejës, më pas në Deçan, Prizren, Rahovec. Kemi fjetur në Hoqë të Madhe. Nuk kemi pasur asnjë problem”, ka bërë të ditur Çankoviq. Ajo ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë nga raportimet në Serbi se diçka e keqe po ndodh në Kosovë.
“Dua të ju them diçka se kur ishim me grupin e serbëve, autobusi ynë u prish në Pejë, dhe qytetarët e Kosovës na ndihmuan në organizim për të marrë një tjetër autobus për të na mundësuar lëvizjen”, ka thënë ajo. Ajo ka theksuar se asnjë serb që dëshiron ta vizitojë Kosovën, nuk duhet të frikësohet. “S’ka vend për frikë”, ka deklaruar gazetarja serbe.
Rruga Press