Vizita e Ramës në Podgoricë: Pa politikë, pa diplomaci
Nga Miodrag Vlahoviq
Vizita e djeshme e Edi Ramës në Podgoricë tashmë po vlerësohet si “historike” në qarqet zyrtare shqiptare.
Një vlerësim i tillë është i njëanshëm dhe, pa dyshim, i ekzagjeruar. Edhe pse leximit tonë të një entuziazmi të tillë zyrtar në Tiranë (të paktën kur bëhet fjalë për qeverinë e atjeshme) mund t′i bëhet vërejtje: ne nuk jemi nga Tirana, kështu që nuk mund të kuptojmë, të paktën jo në masën e plotë, politikën dhe synimet e kryetarit aktual të qeverisë shqiptare.
Vëzhguar nga pikëpamja malazeze – si nga ajo zyrtare (çfarëdo që të thotë kjo në kushtet e dhëna) ashtu edhe nga ajo jozyrtare, gjërat nuk duken dhe aq lavdiplotë.
Mbledhja e përbashkët e dy qeverive – e cila, për nga vetë definicioni, por edhe për nga natyra e fenomeneve dhe proceseve ballkanike, duhet të jetë një gjë pozitive dhe shumë konstruktive – dhe konferenca e përbashkët për shtyp pas saj, kishte veçori që tregonin në mënyrë të pashmangshme dhe pa dyshim krizën e thellë politike në të cilën ndodhet Mali i Zi.
PA POLITIKË
Nga njëra anë problemi qëndron në mënyrën se si sillet, d.m.th. nëse di të sillet siç duhet Kryeministri “teknik” dhe Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme në aktivitetet diplomatike, ndërsa nga ana tjetër, shumë më e rëndësishme është nëse ai, Kabineti dhe kolegët e tij kanë një politikë të jashtme konsistente dhe logjikisht dhe politikisht të qëndrueshme. Pra, për të qenë më të saktë, a janë të interesuar sadopak të kenë një të tillë, dhe nëse po, a dinë ta zbatojnë atë?
Kjo, pas dy vitesh përvojë me Abazoviqin, në funksionet e tij të ndryshme formale, është pothuajse një pyetje retorike.
Përgjigja është më se e qartë: nuk kanë.
E gjithë përvoja dhe të gjithë treguesit dëshmojnë se nuk ka as njohuri dhe as interes që kjo Qeveri e Malit të Zi – në çfarëdo “gjendje agregate” të jetë, në mandat të plotë apo teknik – të ketë dhe të përpiqet të zhvillojë një politikë të jashtme të pavarur, e cila me të vërtetë do të mbështetej në vlerat euroatlantike dhe që në thelb dhe sinqerisht do të synonte axhendën evropiane, duke marrë si themel dhe arsye të vetme dhe përfundimtare interesat shtetërore dhe kombëtare malazeze.
Asnjë nga këto.
Abazoviq ka treguar shumë herë tashmë, madje edhe me elementë thuajse vaudevilian në misionet e tij diplomatike, se për të Beogradi dhe Tirana, Vuçiqi dhe Rama, janë dy adresat qendrore të politikës së jashtme, të cilat ndikojnë në mënyrë vendimtare në vendimet, veprimet dhe politikën e tij të përgjithshme.
Përtej kësaj, në fakt, nuk ka asgjë.
Si Uashingtoni, ashtu edhe Brukseli, sikurse dhe disa kryeqytete evropiane, pavarësisht durimit pamasë dhe dëshirës së tyre për të ndihmuar kryeministrin e ri e pa përvojë dhe kabinetin e tij tashmë të cunguar, madje edhe atë “teknik”, prej kohësh kanë humbur durimin dhe mirëkuptimin.
(Zërat se Mali i Zi ka nevojë për zgjedhje po bëhen gjithnjë e më të qartë. Ja edhe miku më i bindur malazez, komisioneri evropian Varheli, foli pasi u zgjodhën tre gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese – me një mesazh të qartë se tani nevojiten zgjedhje. Unanimitet!)
Një pozicion dhe rol i tillë vartës dhe i përllogaritur i Dritan Abazoviqit u duk qartë edhe gjatë aktiviteteve të djeshme “të përbashkëta” të dy kryeministrave. Ishte aq e qartë se kush ishte “më i madh” dhe më i rëndësishëm, jo vetëm për nga mosha dhe gjatësia.
Abazoviqi përsëriti gabimin që nuk ishte aq i dukshëm më herët (me rastin e fluturimit të përbashkët nga Tirana në Poloni, e më pas në Kiev, si mysafir i kryeministrit shqiptar në atë – gjest pa dyshim të rëndësishëm mbështetjeje për Ukrainën).
Mali i Zi nuk është një “junior partner” i Shqipërisë dhe nuk ka qenë kurrë ndonjëherë i tillë. Abazoviqi është i tillë ndaj Ramës – sepse ai nuk e di dhe nuk mundet ndryshe.
Kjo në rastin konkret nuk mund të fshihej, edhe nëse kryeministri teknik të donte ta fshihte.
Rama i arriti qëllimet e tij për të cilat erdhi në Mal të Zi, duke injoruar, nga njëra anë, situatën e përgjithshme politike, në kushtet e një krize të rëndë dhe, nga ana tjetër, duke harruar (vështirë të besohet se kjo është e rastësishme) karakterin, faktorët dhe rolin e qeverisë aktuale teknike dhe të partnerit të tij më të ri Abazoviq. Prandaj kjo vizitë, me respekt të plotë për urimet e sinqerta të fqinjëve dhe miqve tanë shqiptarë, nuk mund të ishte “historike”. Sepse për një tango të tillë historik nevojiten dy palë!
Kështu, politika e jashtme aktuale e Malit të Zi pa personalitet, e personalizuar pikërisht pa personalitet nga Abazoviqi, u përplas edhe një herë me realitetin: është më pak e rëndësishme, margjinale, domethënë e parëndësishme – edhe në adresat që në fakt kanë më shumë rëndësi për atë qeveri.
Abazoviqi, e mbajmë mënd, numëronte makinat e eskortit gjatë vizitës së tij në Beograd. Kësaj radhe mund të numëronte vetëm lulet në buqetat që pionierët – ashtu si dikur – i dhanë të ftuarit të dashur nga Shqipëria.
PA DIPLOMACI
Mesazhi më i rëndësishëm nga takimi mes dy kryeministrave erdhi – logjikisht dhe siç pritej – nga i ftuari. Sipas kryeministrit Rama, një samit i të ashtuquajturit “Ballkani i Hapur” parashikohet të mbahet në qershor në Podgoricë.
Nuk kishte asnjë njoftim paraprak për një lajm të tillë – nëse nuk llogarisim, me gjithë vullnetin e mirë, takimin e çuditshëm të fundit në vilën “Gorica” të z. Jokoviq me kolegun e tij, Ministrin e Bujqësisë të Maqedonisë së Veriut (dhe “diskutimin me panelistë” që u organizua me atë rast), të cilin, me gjithë respekt, askush nuk e mori seriozisht.
Prandaj njoftimi i Ramës se, në vendin në të cilin ka ardhur si mysafir (?!) do të mbahet “kjo dhe ajo, atëherë dhe aty” ishte i pakëndshëm edhe për mikpritësin, i cili mundohej që të paktën në atë moment të dukej po aq i relaksuar dhe “i fuqishëm” si mysafiri i tij i lartë. Është gjithsesi një takim jozyrtar, u përpoq të improvizojë kryeministri teknik i paditur.
Megjithatë, për Abazoviqin, por edhe për Malin e Zi, mbetet një pyetje shumë më e rëndësishme: a ishte ky një improvizim i z. Rama, apo pala shqiptare thjesht shpalli vendimin për të cilin mikëpritësi ishte në dijeni – por nuk na e bëri të ditur më parë – apo të cilin as që e dinte? Çfarë do të thotë nëse boshti Vuçiq-Rama planifikon takime dhe merr vendime që, volens-nolens, Shkupi zyrtar i ndjek (tani së paku) dhe që Podgorica zyrtare e cunguar nuk ka forcën dhe guximin t’ia paraqesë Kuvendit të saj dhe qytetarëve të vet?
(Kësaj radhe do e lëmë mënjanë se cilat parti dhe politikanë në Mal të Zi janë pro hyrjes në “Open Balkans”, dmth. kë mendon z. Rama të bëjë histori?)
Këto pyetje, të cilat janë të një rëndësie të veçantë dhe pashmangshëm dramatike për ne, duke pasur parasysh procesin e ngecur të integrimit europian, nuk mund të margjinalizojnë apo fshehin mesazhin qendror të z. Rama gjatë qëndrimit të tij në Podgoricë.
Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit janë komplementar, tha i ftuari i Abazoviqit. Dhe më shumë se kaq: Ballkani i Hapur përshpejtoi dhe forcoi Procesin e Berlinit! Për më tepër: as këta, as ata, përfshirë Marsianët, nuk mund të na e imponojnë, por as gjermanët! “As gjermanët!”
Kjo pjesë me Gjermaninë është veçanërisht interesante. Vjen pas dhe pavarësisht konkluzioneve të qarta dhe të padyshimta të Samitit të Procesit të Berlinit në nëntor të vitit të kaluar. Aty, “Ballkani i Hapur” përkufizohet si një nismë e paqartë, e papërfunduar dhe e panevojshme. Pas kësaj vijuan qëndrime të shprehura disa herë, me dëshirën e qartë të miqve gjermanë, përfshirë ambasadorin Peter Felten këtu në Podgoricë, që nuk linin asnjë grimë dyshimi se çfarë dhe pse mendojnë ashtu për “Ballkanin e Hapur” në atë adresë.
E gjithë kjo nuk është e mjaftueshme dhe me sa duket as edhe aq serioze për Ramën dhe për Abazoviqin, i cili i ndjek me obediencë të gjitha këto (“teknikisht” – në emrin tonë!). Nuk e dinë gjermanët se çfarë është dhe për çfarë shërben Procesi i Berlinit, ndaj do t’ua shpjegojmë!
Në këtë mënyrë Podgorica zyrtare, nëpërmjet Abazoviqit dhe Jokoviqit të lartpërmendur, si dhe ministrave në “qeverinë në largim” të cilët, me përjashtime sporadike, kanë (më falni!) rolin e konëve, tregoi se diplomacia e saj i është nënshtruar dy adresave rajonale, disa floskulave të rastit (përputhje formale 100% me politikën e jashtme të BE-së, etj.) dhe një iniciative të cilën të gjithë në BE (nëse nuk llogarisim Hungarinë e Orbanit dhe të Varhelit, sigurisht) e konsiderojnë të panevojshme dhe kundërproduktive.
Kështu që nuk kemi pse të shqetësohemi për formën, kur nuk kemi përmbajtje.
Ose anasjelltas – nëse e kemi më të lehtë t’i shohim kështu takimet “historike” në të cilat mungon jo vetëm historia, por nuk ka as Mal të Zi të pavarur dhe sovran./KDP
Rruga Press